Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov sot në mëngjes informoi se në tërësi është shuar zjarri në rrethinën e fshatit Llopaticë i cili mbrëmë ishte rrezikuar nga flakët e zjarrit. Angellovi përsëri ju bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm sepse mjafton vetëm një shkëndijë e cila nëse bie në barë të thatë mund të shkaktojë katastrofë të vërtetë.
“Këtë mëngjes, fshatrat Bonçe, Podmolje dhe Llopaticë janë të sigurta. Zjarrfikësit nga Prilepi, zjarrfikësit vullnetarë të angazhuar përmes DMSH-së, të gjithë ne që jemi në fshatin Llopaticë, i cili mbrëmë u kërcënua nga flakët, kaluam një natë të vështirë. Vija e zjarrit që ishte e dukshme nga rruga rajonale Prilep-Manastir është shuar plotësisht, vetëm një degë është aktive lart mbi fshatin Bonçe. Mirënjohje e madhe për zjarrfikësit nga Prilepi të cilët mbrëmë, me një kundërzjarr që bënë mbi një barriere zjarri në afërsi të fshatit Llopaticë, të bërë më parë me mekanizim, arritën ta ndalojnë zjarrin dhe ta pengojnë atë të kalojë barrierën dhe kështu të rrezikojë fshatin Podmolje”, tha Anegollovi.
Ai gjithashtu e falënderoi edhe ekipin për Përgjigje të shpejtë të DMSH-së, i përbërë nga zjarrfikës nga Manastiri dhe Koçani të cilët ishin ngjitur lart në kodrat rreth fshatrave dhe e shuanin me kilometra vijën e gjatë të zjarrit.
Angellovi thotë se është i shqetësuar se nga rritja e temperaturave rreth mesditës në disa pjesë të caktuara vija e zjarrit të riaktivizohet.
“Por detyra jonë është ta mbajmë nën vëzhgim. Këtu ka zjarrfikës nga Prilepi dhe janë edhe ekipet e dy Pinzgauerave, të cilët do ta mbajnë nën vëzhgim dhe, nëse riaktivizohet, do ta shuajnë. Zjarri në anën e Mariovës është shuar gjithashtu ose është vënë nën kontroll të plotë. Jam optimist se sot kemi mundësinë të japim goditjen përfundimtare dhe, për befasinë time, ta shuajmë plotësisht këtë zjarr më të madh të këtij sezoni”, tha Angellovi.



