VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër pas vendimit për mbylljen e lëndës që lidhet me ndërtimin dhe furnizimin e spitaleve modulare, duke akuzuar kreun e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, se me këtë vendim ka mbrojtur ish-ministrin e Shëndetësisë dhe liderin aktual të LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas VMRO-DPMNE-së, pesë vjet pas hapjes së lëndës, Prokuroria ka konstatuar se nuk ekziston dyshim i bazuar për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare lidhur me spitalet modulare.
Nga partia rikujtojnë se lënda ishte hapur më 10 shtator 2021, menjëherë pas zjarrit tragjik në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.
VMRO-DPMNE pretendon se gjatë periudhës kur Venko Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë, u bënë ndryshime në Ligjin për Ndërtim me procedurë të përshpejtuar, me të cilat ky lloj objektesh u kategorizua si pajisje urbane, ndërsa miratimi për vendosjen e tyre ishte në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas partisë, kjo e bën Filipçen politikisht dhe institucionalisht përgjegjës për mënyrën e vendosjes së spitaleve modulare. VMRO-DPMNE gjithashtu pretendon se nuk ishin përcaktuar specifikimet minimale teknike dhe se nuk ishte përgatitur elaborat për instalimet elektrike.
Nga partia ngritën akuza edhe për mënyrën se si është trajtuar lënda gjatë viteve të kaluara, duke thënë se ajo fillimisht kishte mbetur për një kohë të gjatë pa epilog gjatë periudhës kur me të merreshin prokuroret Vilma Ruskoska dhe Elizabeta Josifovska.
VMRO-DPMNE akuzon Islam Abazin se vendimin për mbylljen e lëndës e ka marrë në fund të mandatit të tij me qëllim, sipas tyre, që Venko Filipçe të mos përballet me ndjekje penale.
Megjithatë, nga partia theksojnë se mbyllja e lëndës nuk nënkupton domosdoshmërisht përfundimin përfundimtar të çështjes, pasi nëse paraqiten prova të reja, procedura mund të rihapet.
“VMRO-DPMNE do të vazhdojë të insistojë në zbardhjen e plotë të tragjedisë në Tetovë dhe në përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë lëshime apo keqpërdorime, sepse drejtësia për 14 viktimat nuk guxon të mbetet në sirtar”, thuhet në reagimin e partisë.



