Në vitin 2017 ndodhën shumë pika kthese në sektorin gjyqësor dhe rastet e montuara politike që janë klasifikuar si të tilla në opinion, raporton SHENJA.
Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e zunë raste e publikuara nga Prokuroria Speciale dhe akuzat ndaj funksionarëve të lartë të VMRO DPMNE-së, megjithatë edhe për publikun shqiptar pati vendime të rëndësishme gjyqësore.
Në shtator të vitit 2017 filloi seanca e parë gjyqësore në rastin Sopoti me në krye Prokurorinë Speciale. Kanë filluar të shpalosen bisedat e përgjuara ose “bombat” dhe është shpalosur dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur Ramadan Bajrami i cili ka treguar se e kanë detyruar me zor që të jep deklaratë kundër bashkëfshatarëve të tij. Por përkundër faktit që rastin PSP e ka marrë përsipër lëndën në korrik të këtij viti, ende nuk ka nisur mirë shqyrtimi kryesor për shkak të anulimeve të ndryshme nga shkaqe teknike.
Në tetor pritej verdikti për rastin “Kumanova” por për shkak të zgjedhjeve lokale, verdikti u shpalos disa ditë pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. Por nuk ishte ajo që pritej nga familjarët dhe avokatët. Shtatë persona nga gjithsej 37 kryesisht nga Kosova, ishin dënuar me burg të përjetshëm. Por teknikisht edhe 13 persona u dënuan me burg prej 40 vitesh që atyre u kushton sikurse burgu i përjetshëm. Gjashtë ishin dënime me 20 vjet burg ndërsa gjashtë të tjerë u dënuan me 18 deri në 12 vite burg. Kjo ishte një prej ngjarjeve më të prekshme dhe më me interes tek opinioni vendor dhe ndërkombëtar që shkaktoi edhe protesta në Kosovë e diasporë.
Kishte edhe një rast me epilog pozitiv gjyqësor. Gjykata Supreme lejoi që Agim Ismailoviç, Haki Aziri, dhe Sami Luta të gjykohen duke qenë në liri, shkruan SHENJA.
Pas pesë vitesh e shtatë muajsh burg, ata u bashkuan me familjet dhe e lëshuan burgun pa përcjellje policie dhe dalja e tyre nga burgu pati jehonë në gjithë trevat shqiptare. Derisa të nisë dhe vijojë rigjykimi për këtë rast, të akuzuarit do të qëndrojnë vetëm brenda territorit të Shkupit dhe do duhet të paraqiten dy herë në javë në gjykatë si dëshmi se nuk janë arratisur.
Edhe për kryeministrin Zoran Zaev 2017 ishte pikë kthese. Rasti në të cilin është i akuzuari kryesor për mitmarrje, u kthye nga e para pasi gjykatësja e Apelit erdhi në përfundim se gjykatësja e shkallës së parë ka marrë vendim kokë më vete, pa e pyetur këshillin penal, që videoja e përgjuar me masa të veçanta të hetimit, të jetë pjesë e provave kundër tij.
Edhe prokuroria speciale hapi disa hetime për krim dhe korrupsion gjatë vitit 2017 dhe disa prej akuzave të saj u pranuan. Në 2018 do të ketë një mori gjykimesh lidhur me rastet e këtij institucioni mes të cilëve edhe rasti “Titanik 2 dhe 3” për krim zgjedhor, ku si të akuzuar paraqiten edhe Menduh Thaçi, Bedredin Ibraimi, Ejup Alimi dhe Ismet Guri.
https://www.youtube.com/watch?v=vWoIynsRGZc

