Gazetari Rami Mislimi ka reaguar lidhur me fillimin e punimeve për autostradën Shkup–Bllacë, duke kritikuar funksionarët e VLEN-it për mënyrën se si, sipas tij, po e paraqesin rolin e tyre në këtë projekt.
“Mickoski 100% meritor për rrugën Shkup–Bllacë. VLEN-i dekor duke bërë selfie!”, ka shkruar Mislimi.
Ai pretendon se asnjë funksionar i VLEN-it nuk ka pasur rol në këtë projekt dhe se merita për realizimin e tij i takon kryeministrit Hristijan Mickoski.
“Asnjë funksionar i VLEN-it nuk ka pasur asnjë qasje tek rruga Shkup–Bllacë. Andaj 100% e këtij projekti meritor është e kryeministrit Hristijan Mickoskit”, ka shkruar ai.
Mislimi e ka krahasuar situatën me qeverinë e kaluar, duke thënë se në atë kohë zëvendëskryeministri shqiptar ishte i involvuar drejtpërdrejt, ndërsa kryeministri ishte vetëm i informuar.
*Për dallim nga qeveria e kaluar, zv-kryeministri i asaj kohe ka qenë 100 % i involvuar, ndërsa kryeministri i asaj kohe ka qenë vetëm i informuar.
E shihni tash se për dy vite kanë ndryshuar kohërat dhe shqiptarët në këtë qeveri janë vetëm dekor dhe për të shkruar statuse në Facebook!” ka shkruar më tej.
Ai gjithashtu thotë se me VLEN-in kompanitë shqiptare nuk kanë akces në asnjë nga projektet qeveritare.
“Gjithashtu mos të harrojmë sipas informacioneve që kam as dy liderët e VLEN-it nuk i kanë thënë kryeministrit a ban pak me punu ndonjë firmë shqiptare në këtë projekt se vetëm kompanitë maqedonase po i marrin punët” thotë ai.
Në fund, Mislimi ironizon me paraqitjen e funksionarëve të VLEN-it në ceremoninë e fillimit të punimeve, duke thënë se merita për projektin i takon Mickoskit, ndërsa të tjerët “le të vazhdojnë të fotografohen” dhe “të bëjnë selfie”.



