Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive në seancën e sotme e miratoi dhe e përcolli për procedurë të mëtejshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për vitin 2025.
Anëtarët e komisionit miratuan edhe raportet e veçanta të KSHPK-së për gjendjet e konstatuara në financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve në komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës dhe Qendër Zhupë – 2026. Në procedurën kuvendore u dorëzua edhe Raporti vjetor i KSHPK-së për zbatimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave për vitin 2021-2025, për periudhën 01.01.2025 – 31.12.2025, si dhe Raporti përfundimtar për zbatimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave 2021-2025, për periudhën 01.01.2025 – 31.12.2025.
Raporti vjetor për punën e KSHPK-së në vitin 2025, sipas kryetarit Adem Çuçul, paraqet një pasqyrë faktografike të punës së Komisionit gjatë vitit të kaluar. Sipas tij, në Komision janë pranuar 612 parashtresa, ndërsa janë miratuar 583 vendime në kuadër të kompetencave të Komisionit.
“Janë lëshuar gjithsej 111 urdhërpagesa për kundërvajtje për shkelje të përcaktuara me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave. Gjithashtu, janë iniciuar 45 procedura kundërvajtëse. Të gjitha këto lëndë dhe procedura kundërvajtëse në vetë raportin janë të shpjeguara se cilës fushë i përkasin, në përputhje me kompetencat që lidhen me parandalimin e korrupsionit, konfliktin e interesave dhe monitorimin dhe evidentimin e gjendjes së pronës”, theksoi Çuçul.
Deri te Prokurorisë Publike, shtoi ai, janë dorëzuar tetë iniciativa për fillimin e procedurave për ndjekje penale, tre iniciativa te organet kompetente për përcaktimin e përgjegjësisë së personave zyrtarë dhe gjashtë iniciativa të llojeve të tjera për përcaktimin e përgjegjësisë së personave të zgjedhur dhe të emëruar, gjegjësisht personave zyrtarë.
“Njëkohësisht, vazhdimisht u dërgojmë rekomandime dhe udhëzime organeve kompetente për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara, gjegjësisht rreziqeve nga korrupsioni. Gjithashtu, në përputhje me dispozitat për parandalimin e konfliktit të interesave, komisioni vazhdimisht jep mendime për organet kompetente dhe personat zyrtarë për gjendje të mundshme të konfliktit të interesave, me ç’rast në vitin 2025 janë dhënë gjithsej 116 mendime”, theksoi Çuçul.



