12 May 2018 / 16:01
Në vazhdë e sipër është takimi rreth çështjes së emrit mes kryediplomatëve, Nikolla Dimitrov e Nikos Kocias dhe ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic. Nuk dihet nëse ky raund negociatash i filluar rreth 5 orë më parë në Athinë, do të sjellë rezultate konkrete në tejkalimin e dallimeve kryesore të palëve. Ndërkohë mediat greke zbulojnë detaje të marrëveshjes në tavolinë. Sipas tyre, marrëveshja do të arrihet tani, por e njëjta do të realizohet gradualisht, për 2 vjet. Kështu, gjithnjë sipas mediave greke pala maqedonase do të lëshoj pe duke pranuar edhe ndryshimet kushtetuese dhe se emri i ri do të përdoret si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Ndërsa pala greke do të pranojë që vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të fillojë negociatat me BE-në. Megjithatë informatat në fjalë mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht. Ndërkohë dje Dimitrov paralajmëroi se në takimin e sotëm palët do të ofrojnë opsione konkrete.
Është fakt se jemi në fazën më delikate dhe të fundit. Është fakt se për shumë çështje kemi mirëkuptim, ky është mirëkuptim i lidhur me fundin. Pra ajo që është dakorduar nuk është dakorduar derisa të dakordohet gjithçka. Detyra jonë është të gjejmë një zgjidhje, e cila sa më tepër t’i mbulojë nevojat e dy palëve, që t’iu mundësojmë kryeministrave së pari të takohen e pastaj t’ia japin dorën njëri-tjetrin. Patjetër të ofrojmë disa opsione – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Edhe Kocias me shpresë se e kaluara do të mbetet në të kaluarën. Sipas tij sapo të zgjidhet emri, Maqedonia e ka të hapur rrugën për në BE.
Mendoj se nga momenti kur do të merremi vesh dhe kur të ekzistojë kornizë juridike për ratifikimin e marrëveshjes, është e hapur rruga e fillimit të negociatave me BE-në. Mendoj se nëse dy palët duam me thellësinë e zemrës, ne do të përfundojmë me një problem që nuk duhet të mbetet i pazgjidhur. Nimic ka planin e tij juridik që do ta dorëzojë në OKB kur të vijë koha, bashkë me të ne dhe pala tjetër kemi dorëzuar propozim që ka të bëjë me zgjidhjen e disa çështjeve si irredentizmi dhe krijimi i programës për bashkëpunim të ardhshëm mes dy vendeve – u shpreh Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.
Sipas mediave greke, emri pritet të jetë pjesë e axhendës së bisedimeve të Kocijasit në Uashington më 21 dhe 22 maj ku do të takohet me zyratrë të lartë amerikan. Raundi i sotëm i negociatave i paraprin takimit të kryeministrave, Zaev dhe Cipras më 17 maj, në kuadër të Samitit të vendeve anëtare dhe kandidate për në BE.
Anesa Salihu


