Këngëtari i njohur portorikan Ricky Martin ka përjetuar momente tensioni gjatë koncertit të tij në Mal të Zi, pasi një person hodhi gaz lotsjellës në drejtim të skenës, duke shkaktuar panik mes mijëra fansave të pranishëm. Incidenti ndodhi gjatë mbrëmjes së parë të turit europian “Ricky Martin Live”, duke detyruar ndërprerjen e menjëhershme të koncertit.
Sipas deklaratës së publikuar nga zëdhënësja e artistit, Róndine Alcalá, “një individ lëshoi gaz lotsjellës drejt skenës”, çka solli largimin e menjëhershëm të publikut nga zona dhe ndërhyrjen e forcave të sigurisë. Ajo bëri të ditur se Ricky Martin dhe stafi i tij u larguan menjëherë nga skena si masë paraprake sigurie.
“Personeli i sigurisë dhe autoritetet lokale punuan për të vënë situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve”, thuhej në reagimin e publikuar nga Róndine Alcalá.
Edhe pse ekipi i tij i kishte sugjeruar që të mos rikthehej në skenë, Ricky Martin vendosi të vijonte koncertin pasi autoritetet konfirmuan se situata ishte stabilizuar dhe publiku mund të rikthehej në mënyrë të sigurt. “Ai vendosi të rikthehej për të mbajtur premtimin ndaj fansave”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, policia në Mal të Zi ka nisur hetimet për identifikimin e personit që hodhi gazin lotsjellës pranë skenës. Sipas mediave lokale, incidenti shkaktoi panik të shkurtër, por koncerti rifilloi pak më vonë.


