Kryeministri Edi Rama ka ftuar homologen e tij të Japonisë, Sanae Takaichi që të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm, kur edhe në Tiranë do të mbahet Samiti i NATO-s.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se Shqipëria synon fuqizimin e marrëdhënieve me Tokion, duke theksuar mbështetjen e plotë ndaj strategjisë Indo-Paqësore të Japonisë.
Rama tha se Tirana pret të eksplorojë mundësi të reja bashkëpunimi me Japoninë në fusha të ndryshme strategjike.
“Me shumë kënaqësi presim fuqizimin e marrëdhënieve që është e bazuar në parimet e përbashkëta. Është e vërtetë që e kam parë strategjinë e Indo-Paqësorit dhe e mbështesim atë plotësisht. Sic mbështesim përmbajtjen e kësaj strategjie. Presim të eksplorojmë mundësi sesi të afrohemi me Japoninë. Ju them se vitin e ardhshëm, në Tiranë organizojmë Samitin e NATO-s dhe kam kënaqësinë t’ju ftoj. Do të jetë rasti i parë kur një kryeministre e Japonisë të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore. Do të ishte kënaqësi t’ju mirëprisnim dhe të marrim hak për këtë mikpritje kaq të ngrohtë”, tha Rama në tryezën e përbashket.
Nga ana e saj, Kryeministrja Takaichi i uroi mirëseardhjen Ramës, ndërsa shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Jemi të kënaqura që negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Japonia në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal. Ju falënderoj për mbështetjen e vizionit për një indo-paqësor të lirë dhe të hapur” tha kryeministrja japoneze


