Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të rishikojë qasjen ndaj Kosovës dhe të heqë menjëherë masat e vendosura mbi vendin para më shumë se dy vjetësh, raporton KosovaPress.
Gjatë një takimi të zhvilluar dje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Terras theksoi se normalizimi i marrëdhënieve dhe mbështetja për institucionet demokratike kërkojnë angazhim konstruktiv nga ana e BE-së.
Ai shtoi se masat aktuale “nuk i shërbejnë stabilitetit dhe progresit”.
Në këtë takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit politike në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara më 28 dhjetor.
Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndaj Kosovës në qershor 2023, si reagim ndaj eskalimit të tensioneve në veri.
Terras nënvizoi se një qasje e re e BE-së është e nevojshme për të siguruar stabilitetin politik dhe demokratik të vendit dhe për të mbështetur institucionet vendore në mënyrë efektive./Telegrafi/



