Në vitin 2011, në manifestimin e mbajtur në Radushë, u shpalos një dokumentar kushtuar veprimeve dhe veprimtarisë së Komandant Mësuesit, Rafis Alitit. Ishte një ngjarje që rikthente në vëmendje jo vetëm kujtesën e luftës, por edhe kontributin e njerëzve që u bënë pjesë e një periudhe të rëndësishme të historisë sonë të afërt.
Në atë kohë pata shkruar një ese me titull “Manifestimi në Radushë, porosi për politikanët”, ku vëmendjen kryesore e kisha përqendruar te mungesa e ndërgjegjes politike dhe te fakti se përfaqësuesit politikë shqiptarë nuk duhej të qëndronin indiferentë ndaj një manifestimi që lidhej drejtpërdrejt me UÇK-në dhe me kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Atëherë pata shkruar:
“Nuk e di nëse ekzistonë apo jo mundësia për formësime politike, për interpretime reale të asaj që ndodhë në të vërtetë në Maqedoni, ngase faji nuk duhet kërkuar tek populli shqiptar. E këtu politika shqiptare nuk duhet me ndejtë duarkryq. Kërkohet unitet politik.
Ç’është e vërteta, mbrëmë në manifestimin qendror në fshatin Radushë qe organizuar për dhjetvjetorin e luftës së UÇK-së, për veprimet e Brigadës 115 dhe për aktivitetin e palodhshëm patriotik të Rafis Aliti – Komandant Mësuesi, u pa ndarësia. Sikur UÇK-ja i takon vetëm një pjese të kombit shqiptar. Përpos kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, asnjëri nga politikanët nuk mori pjesë…”
Kanë kaluar plot pesëmbëdhjetë vjet. Mbrëmë, më 9 gusht 2026, në Radushë u mbajt manifestimi me rastin e 25-vjetorit të luftimeve të Brigadës 115. Historia përsëritet në një formë që të detyron të ndalesh dhe të mendosh: edhe kësaj radhe, në këtë përvjetor, munguan përfaqësues të politikës shqiptare nga pozita.
Dhe pyetja që shtrohet sot është e njëjtë me atë që e shtroja para pesëmbëdhjetë vitesh: A është kujtesa e luftës pronë e një partie politike?
Përgjigjja duhet të jetë e qartë: Jo.
UÇK-ja nuk është pronë private e asnjë politikani, partie apo grupi politik. Ajo është pjesë e një kapitulli të historisë së shqiptarëve dhe, si e tillë, përkujtimi i dëshmorëve, i luftëtarëve dhe i ngjarjeve të asaj kohe nuk mund të monopolizohet politikisht. Një politikan që i përket një partie ka po aq të drejtë të marrë pjesë në një manifestim të tillë sa edhe politikani që i përket një partie tjetër. Përkujtimi nuk duhet të ketë ngjyrë partiake.
Nëse dikush mendon se pjesëmarrja në një manifestim të UÇK-së i jep legjitimitet kundërshtarit politik, atëherë problemi nuk qëndron te manifestimi, por te mënyra se si është kuptuar politika.
Sepse ka momente kur politika duhet të heshtë si parti dhe të flasë si përfaqësuese e një shoqërie.
Radusha nuk duhet të jetë vendi ku shqiptarët matin se kush ishte në pushtet e kush në opozitë. Duhet të jetë vendi ku kujtohet një kapitull i historisë dhe ku, mbi dallimet politike, ruhet respekti për ata që e përjetuan dhe e paguan atë periudhë me sakrificë.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë e ngrita këtë shqetësim. Sot, për fat të keq, pyetja mbetet po ajo. Ndoshta koha ka ndryshuar, partitë kanë ndryshuar, politikanët kanë ndryshuar, por një mësim ende nuk është mësuar: historia nuk mund të jetë pronë e partive.
Agim Jakupi



