Kjo është Komuna e Tearcës, e cila më 25 dhjetor do të shkojë në rivotim. Ndërkaq, kjo është shkolla ku ndodhet vendvotimi 2011, e që për momentin është në qendër të vëmendjes për shkak se nga ky vendvotim do të vendoset fati i Qeverisë së re. Për banorët e Tearcës, paraqet kënaqësi të veçantë fakti që vota e tyre tanimë ka peshë më të madhe se asnjëherë më parë. Ata thonë se partitë të cilat synojnë votën e tyre, duhet të kenë parasysh problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky vend, duke numëruar këtu mungesën e ujit, kanalizimit, si dhe probleme të tjera infrastrukturore, raporton SHENJA.
“Për ne është kënaqësi se jemi në vëmendje të të gjithë Maqedonisë. Ne banorët e fshatit Tearcë, secili prej nesh është i inkuadruar në ndonjë parti, njeri kur ta zgjedh ndonjë parti atëherë le të kujtojë cilën parti e voton, nëse zgjedh parti të gabueshme, atëherë s’ke të drejtë të ankohesh prej të tjerëve.”, tha një banor.
“Për me dal edhe ata le ta dijnë se diçka duhet të rregullojnë. E para pikë në fshatin Tearcë, si fshat që po përmendet, këtu në Tearcë nuk kanë punuar asgjë, secili ka punu për veti, e më mos të ndodh përsëri e njëjta. E para pikë, kanalizimin nuk e kanë bërë, që Tearca është e njohur me emër, siç ë shihni vetë, ujin e nalën ujë nuk kemi aspak. Rrugët katastrofë, nuk e di çfarë bëjnë, edhe kërkojnë vota edhe nuk kanë rregullu asgjë. nëse bëjnë diçka në Tearcë, Tearca është I përmendur me emër, duhet të rregullojnë diçka”, deklaroi një qytetar tjetër.
““Të jem i sinqertë, se edhe unë kam qenë si pjesë e BDI-së, por në një farë mënyre populli na tregoj se diçka nuk jemi në rregull, kështu që nuk mund të planifikojmë aspak se si do të zhvillohen punët më tej, veç populli është i vetëdijshëm dhe ato që do të dalin të votojnë sigurisht do të kenë qëndrim personal të tyre.”, tha një banor.
Banorët e Tearcës ndjehen si votues me fat të cilët kanë në dorë fatin e Qeverisë së re, prandaj disa prej tyre thonë se Gruevski tanimë duhet ta ketë të qartë se nuk mund t’i shkelë shqiptarët.
“ Tash kur vjen puna për maqedonasit, më mirë Zaevit se Gruevskit. Mjaft na ka bo ai ato t’kqijat, edhe plus të na shkele neve shqiptarëve, s’mund ta mbërrijë atë asnjëherë”, tha një qytetar.
“Ne me VMRO-në jemi të dëshpëruar në total, meqenëse kam në Qeveri edhe shokët e mi janë. Me këto kushte jemi të revoltuar. Tash do të shohim, tash vendoset këtu Qeveria e Maqedonisë.”, tha një qytetar tjetër.
Ndërkaq disa nga banorët thonë që nuk kanë hasur në aktivitete nga partitë politike.
“Partitë nuk kanë aktivitete nuk shoh ashtu unë ndonjë gjë.”, tha një qytetar.
Ndërkaq disa të tjerë thonë se megjithatë kanë hasur në lëvizje të vogla të përfaqësuesve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
“Për momentin shoh më tepër lëvizje të LSDM-së, mirëpo ka edhe lëvizje të VMRO-së ”, u shpreh një qytetar.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor shpalli të pavlefshëm vendvotimin numër 2011 në Komunën e Tearcës. Rivotimi në Tearcë bëhet pasi LSDM ka paraqitur parregullsi që kanë hasur gjatë procesit zgjedhor më 11 dhjetor, të cilën ankesë KSHZ e hodhi poshtë, ndërkaq pas padisë së LSDM-së të paraqitur në Gjykatën Administrative, Administrativja vendosi që në këtë vendvotim të shkojë përsëri në zgjedhje.