Pesë gjyqtarë të Gjykatës Administrative janë nën hetim në një lëndë të hapur nga Prokuroria Speciale ndërsa ka të bëj me dyshime për mashtrime zgjedhore. Gjyqtarët dyshohen për keqpërdorim të funksionit të tyre për qëllime partiake- zgjidhje gjyqësore të padive në favor të partisë në pushtet.
Nga Prokuroria Speciale nuk dëshirojnë të komentojnë asgjë në lidhje me zgjedhjet, e as me emërimin eventual të gjykatësve që do të merren me ankesat aktuale. Ata thonë se kjo është punë e gjykatës, ndërsa përzgjedhja bëhet me short.
“Gjykatësit nuk janë mbi drejtësinë, Prokuroria Speciale ka iniciuar hetim kundër disa gjykatësve dhe kjo nuk paraqet presion”, pati deklaruar në tetor prokurorja Lençe Ristovska, pas akuzave të kryetarit të Këshillit Gjyqësor Zoran Karagjovski se ka presion mbi gjykatën dhe se pesë prej tyre janë thirrur për bisedë në PSP.
“Për Prokurorin Speciale thirrja e gjykatësve për bisedë nuk është formë presioni. Nëse punoni se gjykatës nuk do të thotë se janë të përjashtuar nga përgjegjësia”, pati deklaruar RIstovska, duke shtuar se kundra disa gjykatësve të caktuar është hapur hetim, por jo ndaj të gjithëve.
“Çdo individ i cili punon në administratën publike, edhe në gjyqësor, nuk është imun ndaj hetimeve ku ekzistojnë dyshime për vepra të kryera penale”, ka thënë Ristoska, përcjell “SHENJA”.
Në muajin shkurt PSP hapi lëndën “Titanik” në të cilën po hetohen pesë gjyqtarë të Gjykatës Administrative dhe katër anëtar të KSHZ-së për keqpërdorim të detyrës në vitin 2013. Në procedurën për mashtrime zgjedhore janë të përfshirë edhe anëtarë të këshillit komunal zgjedhor në Çair. /SHENJA/