Një qytetar shqiptar që jeton jashtë vendit iu bashkua protestës së zhvilluar para Kryeministrisë kundër kryeministrit Edi Rama, duke adresuar kritika ndaj qeverisë dhe duke bërë thirrje për hetimin e zyrtarëve të korruptuar.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se kishte ardhur në Shqipëri së bashku me një grup bashkatdhetarësh nga diaspora për të marrë pjesë në protestë.
“Jam një djalë i diasporës dhe kemi organizuar kolonën për të ardhur në Shqipëri dhe për të protestuar në Tiranë. Po e them publikisht dhe pres që ministri i Brendshëm të më shpallë ‘non grata’, siç po e bën me bashkatdhetarë të tjerë”, u shpreh ai.
Më tej, protestuesi komentoi edhe reformën territoriale, duke iu drejtuar kryetarit të Bashkisë së Cërrikut që, sipas tij, të mbajë një qëndrim publik në mbrojtje të qytetarëve.
Ai kërkoi gjithashtu që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të hetojë politikanët që, sipas pretendimeve të tij, janë të përfshirë në korrupsion dhe zotërojnë interesa në biznese të mëdha.
“Jam një djalë i Diasporës dhe kemi organizuar kolonën për të ardhur në Shqipërinë dhe për të protestuar në Tiranë. Po e them publikisht dhe pres që ministri i Brendshëm të më shpall non grata si shqiptar që jam sic po e bën me bashkatdhetarë të tjerë. Për reformën territoriale, si qytetar i cërrikut e them që kryetari i Bashkisë të dalë publikisht dhe ta kundërshtojë nëse nuk është i gatshëm të mbrojë qytetarët të largohet. Ministri i Bujqësisë duhet ta ketë të qartë se Cërriku nuk do e pranojë…SPAK të hetojë politikanët e korruptuar, janë aksionerë në biznese të mëdha. Janë atë që ngrenë gradacela e bënë vila luksose me paratë tona…Ku i çojnë taksat tona dhe çfarë bëjnë me fondet e zhvillimit”, tha ai.



