Gazetare: Fatlume Dervishi
Deputetët nesër do të fillojnë diskutimin për propozimin francez, për të cilin dy blloqet politike kanë qëndrime të kundërta. LSDM-ja ka përgatitur propozim konkluzione të cilat do ta detyrojnë qeverinë të mos negociojë për identitetin.
VMRO-DPMNE-ja thotë se konkluzionet nuk do të kenë asnjë peshë nëse nuk e ndryshojnë kornizën negociuese. Para deputetëve, edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen.
Një ditë para seancës plenare për propozimin francez, partitë politike përgatiten për të mbrojtur argumentet e tyre nga të cilat asnjëra palë nuk jep shenja se do të heqë dorë.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n fton deputetët të mendojnë se burrështetas dhe të vendosin përpara interesat e vendit, në vend të interesave partiake. Nga LSDM-ja thonë se çështja e mbarëvajtjes së seancës varet nga kryetari i Kuvendit kurse ata i kanë gati propozim-konkluzionet që synojnë të miratojnë.
“Gjatë debatit në Kuvend pritet të ketë koordinim ku do të miratohen konkluzione të përbashkëta. LSDM-ja ka dorëzuar konkluzione ku garantohet mbështetje pa kushte veçantit identitare, kulturore dhe gjuhësore të popullit maqedonas për të cilat me BE-në nuk negociohet në asnjë moment. Ne si parti politike kërkojmë që këto konkluzione të jenë konkluzionet e vetme të të gjitha partive politike në Kuvend”, tha Mile Talevski, LSDM.
Për VMRO-DPMNE-në, seanca në Kuvend është farsë e cila do të kalojë, por jo edhe ndryshimet kushtetuese. Në seancën e nesërme do të marrin pjesë për debat por thonë se konkluzionet nuk do të kenë asnjë peshë.
“Konkluzionet sa i takon këtij informacioni do të kishin kuptim vetëm nëse të njëjtat i pranon qeveria dhe e kanë për qëllim të bëhet korrigjim dhe jo pranim i propozimit francez, korrigjim me të cilin nga propozimi francez do të hidhen poshtë protokolli bilateral dhe të gjitha shantazhet e tjera përfshirë edhe ndryshimi i Kushtetutës. Nëse pranohet kështu, Maqedoninë do ta fusin në një proces retrograd të krizave politike dhe tensione në dhjetë vitet e ardhshme”, u shpreh Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Para fillimit të seancës plenare për propozimin francez para deputetëve do të marrë fjalën kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen për të theksuar rëndësinë e fillimit të procesit të negociatave. Deputetët më vonë do të diskutojnë për informacionin për përmbajtjen e kornizës negociuese, për të cilin Rregullorja parashikon miratimin e konkluzioneve./Alsat.mk


