Lideri i lëvizjes qytetare „Minimumi Kombëtar“, Aco Velkovski, reagoi ashpër ndaj vizitës së sotme të ministrit të Bujqësisë, Serafimovski, në Strumicë, ku bujqit prej ditësh protestojnë dhe kërkojnë një çmim blerjeje prej 50 denarësh për kilogram speca ajvari.
Velkovski kritikoi qëndrimin e ministrit se Ministria do të jetë „ndërmjetëse“ mes bujqve dhe blerësve, duke vlerësuar se një rol i tillë është i pamjaftueshëm dhe poshtërues për prodhuesit.
„Ministër Serafimovski, bujqit nuk ju kërkojnë si ndërmjetës!“, tha Velkovski, duke shtuar se shteti nuk duhet të ndërhyjë vetëm pasi të shpërthejë problemi, por duhet të krijojë me kohë politika që do të sigurojnë çmime të drejta të blerjes dhe plasman të sigurt.
Sipas tij, Qeveria duhet të punojë për plasman të organizuar, eksport të drejtpërdrejtë dhe hapjen e tregjeve të reja për produktet bujqësore maqedonase, në vend që çdo vit bujqit të detyrohen të dalin në rrugë.
Velkovski theksoi gjithashtu se speci maqedonas për ajvar në tregjet evropiane shitet me çmime dukshëm më të larta, ndërsa prodhuesit vendas përballen me kushte të pakënaqshme të blerjes.
„Nëse shteti dëshiron të ndihmojë, le të ndihmojë para se produkti të prishet, e jo pasi bujku të dalë në rrugë“, deklaroi Velkovski.
Në fund, ai i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë ministrit, duke kërkuar veprime konkrete për zgjidhjen e problemeve të bujqve: „Mjaft më me ndërmjetësim!“



