Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë (SHPPPQ), Pece Mirçevski, nën dyshimet për veprat penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, Mirçevski, në periudhën nga 3 korriku 2021 deri në mars të vitit 2024, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke nënshkruar vendime dhe urdhra udhëtimi për veten dhe disa punonjës të SHPPPQ-së, pa pasur bazë ligjore për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Ai dyshohet se për nevoja private ka përdorur avionin qeveritar Learjet 60, ndërsa shpenzimet për udhëtimet janë mbuluar nga buxheti i SHPPPQ-së. Gjithashtu, sipas aktakuzës, ai ka përdorur pa bazë kartën zyrtare të pagesës për shërbime hoteliere dhe restorante.
Me këto veprime, Prokuroria vlerëson se Buxhetit të SHPPPQ-së i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2.562.139 denarësh.
Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se në periudhën nga 27 tetori 2023 deri më 14 qershor 2024, Mirçevski nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ndaj një piloti të punësuar në SHPPPQ, edhe pse ishte informuar se ai nuk i plotësonte standardet e kërkuara për të fluturuar me avionin Learjet 60.
Sipas aktakuzës, ai nuk ka kërkuar kthimin e shpenzimeve të trajnimit, siç parashikohej në marrëveshjen e punësimit, dhe nuk ka njoftuar sektorin kompetent për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Për pasojë, piloti ka vazhduar të marrë pagë si kapiten-komandant i avionit, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej 5.431.624 denarësh.
Mirçevski akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare gjatë procedurave të prokurimit publik për marrjen me qira të automjeteve për transportin e delegacioneve dhe të civilëve nga Republika Islamike e Afganistanit.
Sipas Prokurorisë, të gjitha kontratat janë lidhur me të njëjtën kompani të qirasë së automjeteve nga Shkupi, ndërsa në deklaratat për mungesë konflikti interesi, i akuzuari ka deklaruar në mënyrë të rreme se nuk kishte interes privat apo përfitim material nga procedurat e prokurimit publik.
Megjithatë, Prokuroria pretendon se ai dhe bashkëshortja e tij kanë përdorur pa pagesë automjete të së njëjtës kompani, si gjatë mandatit të tij ashtu edhe pas përfundimit të tij, për udhëtime brenda dhe jashtë vendit.
Në të njëjtën lëndë ishte hapur hetim edhe ndaj pronarit të kompanisë së qirasë së automjeteve për veprën penale ryshfet. Megjithatë, pas analizës së provave, prokurori publik ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme që ai të ketë ofruar automjete pa kompensim me qëllim ndikimin në procedurat e prokurimit publik.
“Për këto arsye, prokurori publik ka nxjerrë urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj këtij personi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
MARKETING


