Bella da Morire
Po thonë se Bella da Morire, alias Bella Balluku, është më hajdute se Imelda Marko, më budallaqe se Elena Çaushesku, më e vrazhdë se Nexhmije Hoxha, më shpirtzezë se të treja bashkë. Ka edhe që janë të mendimit se Bella da Morire vuan gjithashtu nga sindroma e superioritetit iluzor, si dhe nga çrregullimi aktiv i agresivitetit pasiv gjatë komunikimit oral. S’është çudi Bella da Morire të jetë e tillë. Madje duket pak. Duke lënë mënjanë çrregullimet psiqike më se evidente te çdonjëra nga të katra, hajdutëria e të trejave duket çikërrimë ndaj grykësisë shtazarake të Bellës da Morire që vjedh autostrada, ura, tunele, vila, dhe tërr s’ja bën syri.
Përgjatë shekujve të sëmurin e diagnostikonin pa e prekur. Vetëm duke e kqyrur, së pari surratin, pastaj duke ja nuhatur djersën dhe dëgjuar frymëmarrjen.
Po ashtu, për të konstatuar nëse La nostra Bella Addormentata në pyllin e korrupsionit është a s’është e sëmurë me hajdutllëk kronik, nuk lypset me lexu qindra faqet e SPAK-ut. Mjafton ta kqyrësh surratin e Bellës da Morire, t’i ndjekësh me sy përpëlitjet e saja neurotike, dhe kqyrja u kry, vula u vu, shiriti u pre, duart u tokën, shpatullat u rrahën, ndonjë shaka u bë, nja dy a tri qelqe u rrëkëllyen, diagnoza u caktua: Bella da Morire është e sëmurë me hajdutllëk nga më i rrezikshmi dhe më i turpshmi, ai i vjedhjes së parave publike, që janë të shenjta, por Bella da Morire i përdhosi.
Hajdutllëku dhe sëmundja, nuk janë “sasi”, janë “cilësi”.
Sa kohë me cilësinë meret morali, hoxha, prifti, babai i teqesë, ndërsa me sasinë, pra me vitet e burgut, gjykata, për t’u quajtur hajdut nuk ka rëndësi sa ke vjedhur, dhe për tu cilësuar i sëmurë nuk lypset të kesh vdekur, kqyrësat e sotëm, po ashtu si xherahët e hershëm, në ushtrimin e kësaj zeje meritojnë lëvdata.
Me gjasa, hajdutja Bella da Morire, hajdutllëkun e ka trashëgimi genetike nga gjyshi vrasës dhe budalla i etur për gjak dhe uritur për mish, të tjerët që nguten të hanë e të pinë pa karar, dhe gjejnë belanë.
Mirë hyzmeqarët, proletarët, plebejtë, budallenjtë, ekzistojnë për tu vjedhur nga Bella dhe vrarë nga gjyshi i Bellës se ashtu jeta u duket më e shijëshme, më interesante. Po ç’taksirat kishin të vriteshin nga gjyshi kriminel dhe të vidhen nga mbesa hajdute të tjerët që as vjedhin as duan të vidhen, për shembull, të parët e m’i që nuk ishin as vrasësa as budallenj, por rilindas dhe kryeministra ?
Burgjet janë plot me çunakë pas hekurave për një spinello.
Bellën da Morire që përflitet për kilometra autostrade, vila, tunele, nuk guxon ta ngacmojë as miza te kësula.
Rasti i Bellës të kall tmerrin e vendit të çbalancuar keqas, me, nga njëra anë shumicën e shqiptarëve të çartallosur nga tranzicioni i pafund që di veç lepe-peqe, dhe nga ana tjetër një grusht hajdutësh që premtojnë, kërcënojnë, bëjnë sikur qeverisin, madje dhe sikur dënojnë njëritjetrin, në një valle makabre mbi kurrizin e drobitur të Shqipërisë së mjerë që sillet e sillet pafund si mokra e Mullirit të Émile Verhaeren-it.
Megjithatë Bellada Morire e ka një rrugëdalje: Që ta vuaj burgun tani që është ende e re, duhet të reagojë shpejt. Së pari duke e dorëzuar vetë imunitetin parlamentar. Të tjerat rregullohen me vajtje te ndonjë fallxhore për të evituar çmendjen.
Bella Balluku ose Bella da Morire, për shkak të ngjajshërisë me protagonisten e filmit ku disa femra vriten e priten kush është më e bukura, me gjithato autostrada, tunele, vila të vjedhura, është më hajdutja e të gjitha Bellave da Morire.
Aq flagrant dhe gjigand është korrupsioni i Bellës da Morire, sa mendja nuk e merr, truri s’e kupton, syri e refuzon, veshin e çpon.
Ndoshta Bellën da Morire e zuri haku i viktimave të gjyshit vrasës dhe budalla. Por kjo s’ndryshon asgjë në fatin e Bellës da Morire. Gjykatat nuk merren me subjektivizma dhe sentimentalizma.
Sado shpirt skllavi, zemër lepuri, përulje qeni, sado qorra, shurdha, budallenj, të jenë shqiptarët, nuk mund të lejojnë të vazhdojnë vidhen si i vodhi Bella da Morire.
Kova e hajdutllëkut Bella da Morire duhet të mbledhë mendjen ende pa u këputur litari i çikrikut të pusit. Po u këput, në fund të pusit nuk do bjerë vetëm Bella da Morire, por të gjithë.
The post Edison Ypi: Korrupsioni i Belinda Ballukut është aq flagrant e gjigant sa mendja nuk e merr, truri s’e kupton, syri e refuzon, veshi e çpon! Burgun ta vuajë tani që është e re appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



