Projektligji për amnisti për krimet e lehta është gati dhe këto ditë pritet të shqyrtohet nga katër komisionet parlamentare, pas së cilës do të procedohet në Parlament, njoftoi Ministria e Drejtësisë.
Por nga OBRM-PDUKM mohojnë se ligji është pranuar në parim nga ana e tyre. Në fazën përgatitore, askush nuk u konsultua me ta dhe nuk u kërkoi mendim.
“Ne nuk e dimë ligjin, nuk jemi konsultuar dhe kemi dëgjuar se po përgatisin diçka. Fillimisht ta shohim dhe pastaj të vendosim nëse do ta përkrahim”, ka deklaruar koordinatori i Grupit Parlamentar të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski.
Me këtë ligj synohet të përfitojnë shumë qytetarë të cilëve do t’u jepet mundësi shtesë për risocializim.
“Propozimi vjen pas amnistisë së suksesshme të personave që kanë kryer vepra penale gjatë pandemisë Covid. Qëllimi i ligjit është që të mos ketë mbipopullim në burgje dhe të lirojë në mënyrë drastike ambientet e burgjeve, gjë që do të krijojë kushte optimale për të burgosurit e tjerë”, njofton Ministria e Drejtësisë.