Serbia dhe Shqipëria janë dy shtetet e rajonit për të cilat kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, dyshohet se e kishte fjalën kur paralajmëroi për një veprimtari të koordinuar hibride kundër vendit.
Sipas “Vijesti”, të dhënat janë konfirmuar nga disa burime, ndërsa Spajiç kishte paralajmëruar më herët për ekzistencën e informacioneve serioze operative të sigurisë.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, kryeministri malazez deklaroi se mbyllja e kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Evropian mund të shoqërohet me një fushatë të koordinuar destabilizuese, ku sipas tij janë përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.
“Sipas informacioneve që kemi, aktivitete të tilla kanë për qëllim destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të aktorëve të caktuar politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë”, shkroi Spajiç.
Ai shtoi se autoritetet janë në dijeni të këtyre synimeve dhe se përpjekjet për destabilizim nuk do të ndikojnë në kursin politik të vendit.
“Ne i dimë këto synime dhe jemi të vetëdijshëm për qëllimin e tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do të ndryshojnë kursin tonë dhe as nuk do të ndalojnë rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i çdo strukture politike”, u shpreh kryeministri.
Sipas burimeve të “Vijesti”, dy vendet që Spajiç kishte parasysh në deklaratën e tij janë Serbia dhe Shqipëria.
Çfarë është “veprimtaria hibride”?
“Veprimtaria hibride” nënkupton përdorimin e koordinuar të një kombinimi metodash konvencionale dhe jokonvencionale për të ndikuar apo destabilizuar një shtet, pa kaluar në një konflikt të hapur ushtarak.
Në këto metoda mund të përfshihen ndikimi politik dhe informativ, presioni ekonomik, sulmet kibernetike apo edhe mjete ushtarake, të përdorura në mënyrë të kombinuar për të arritur objektiva strategjikë.
Deklaratat e Spajiç vijnë në një moment kur Mali i Zi vijon procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa qeveria në Podgoricë e ka vendosur integrimin evropian në qendër të kursit të saj politik.
The post “Veprimtari për destabilizimin e Malit të Zi nga 2 vende të rajonit”, kryeministri Spajiç hedh akuza: Janë Shqipëria dhe Serbia appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


