Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot në Berovë se gjatë dy viteve të fundit, përkatësisht nga tremujori i tretë i vitit 2024 deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, në vend janë krijuar 17 mijë vende të reja pune.
Sipas Mickoskit, numri i të punësuarve është rritur nga 691 mijë në 708 mijë gjatë kësaj periudhe.
“Para dy ose tre ditësh, Enti Shtetëror i Statistikës publikoi shifrën se kjo qeveri, gjatë dy viteve të fundit, nga tremujori i tretë i vitit 2024 deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, ka krijuar 17.000 vende të reja pune. Nga 691.000 të punësuar në 708.000 të punësuar”, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se, sipas këtyre të dhënave, qeveria e mëparshme nuk kishte arritur të krijonte një numër të tillë vendesh të reja pune gjatë shtatë viteve.
Mickoski tha se pret që numri i vendeve të punës të rritet edhe më tej me zhvillimin e qendrave të të dhënave (data center) dhe industrive që lidhen me këtë sektor.
Ai shprehu pritshmërinë se zhvillimi i kësaj industrie mund të krijojë mundësi të reja për të rinjtë që janë larguar nga Maqedonia e Veriut, duke nxitur një pjesë të tyre të rikthehen në vend dhe të vazhdojnë jetën këtu së bashku me familjet e tyre.
Sipas Mickoskit, situata ekonomike në Evropën Perëndimore nuk është më e njëjtë me atë të pesë apo dhjetë viteve më parë. Për këtë arsye, ai vlerësoi se Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik.
The post Mickoski: Për dy vjet krijuam 17.000 vende të reja pune, qeveria e mëparshme nuk krijoi kaq shumë për shtatë vjet appeared first on TV-SHENJA.


