Prokuroria Themelore Publike në Tetovë lëshoi Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër dy personave për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë qenë bashkëkryerës në rrëmbimin e dy personave, njëri prej të cilëve ishte fëmijë. Mëngjesin e 5 majit, dy të dyshuarit rrëmbyen qëllimisht një person, duke e tërhequr zvarrë me forcë nga krahët dhe supet, dhe më pas e futën me forcë në makinën e tyre BMW X5. Në automjet, ata e sulmuan fizikisht, duke e goditur me grushte në kokë dhe në fytyrë dhe duke i kërkuar që të identifikonte personat që i morën paratë vajzës së njërit prej të dyshuarve, transmeton Portalb.mk.
“I frikësuar nga sulmi fizik dhe goditjet, i dëmtuari identifikoi dy persona dhe adresat ku mund të gjendeshin. Kur të dyshuarit nxituan të kërkonin dhe të pyesnin për të parin prej tyre, i dëmtuari arriti të largohej nga automjeti dhe ta raportonte incidentin në polici. Po atë pasdite, pranë ndërtesës së Gjykatës Themelore në Tetovë, dy të dyshuarit rrëmbyen edhe një nga personat e përmendur – një fëmijë gjashtëmbëdhjetë vjeç. I mituri u fut gjithashtu me forcë në makinë, filluan ta godasin me grushte dhe kërkuan të tregonte pse e kishte rrahur vajzën e njërit prej të dyshuarve”, thonë nga Prokuroria.
Ata i morën celularin fëmijës dhe e detyruan ta hapte për të lexuar mesazhet, pastaj e nxorën nga automjeti në një parking dhe vazhduan ta rrihnin me grushte dhe një shufër hekuri. Në një moment, i mituri arriti të arratisej dhe të raportonte ngjarjen.
Ekziston dyshimi i bazuar se me këto veprime të dyshuarit kanë kryer dy vepra penale – Rrëmbim personi sipas nenit 141 të Kodit Penal, njëra prej të cilave është formë më e rëndë e rrëmbimit sepse është kryer ndaj një të mituri. Duke pasur parasysh se janë përmbushur bazat ligjore, prokurori publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Tetovë për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit.
Për rastin, edhe MPB-ja ka dalë me detaje. Nga atje thonë se më 05.05.2025 në orën 23.00 dhe më 06.05.2025 në orën 01.00, zyrtarët policor nga Departamenti i Policisë së Tetovës ia kanë hequr lirinë D.D. (56) nga fshati Gajre, rajoni i Tetovës, dhe L.D. (52) nga Tetova, duke vepruar sipas një kallëzimi paraprak nga 39-vjeçari Z.J. nga Xhepçishti i Tetovës, se e kanë futur me forcë djalin e saj të mitur në automjetin e tyre të pasagjerëve “BMW X5” dhe e kanë sulmuar fizikisht, duke përdorur një objekt metalik.
“Sipas raportit, pasi arriti t’u shpëtonte, Xh.D. nxori një armë dhe e kërcënoi të miturin. Ata u raportuan edhe nga B.Sh. (24) nga Tetova se e kanë futur me forcë në të njëjtin automjet kundër vullnetit të tij, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë kërkuar që të identifikojë dy persona që dyshohet se i kanë marrë para vajzës së Xh.D.-së. Individët u arrestuan dhe u ngritën kallëzime penale, pas së cilës një gjyqtar hetimor paraprak urdhëroi që ata të mbahen në paraburgim për 30 ditë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.