
Vrasja e ambasadorit rus në Ankara ishte një ndodhi e jashtëzakonshme dhe sigurisht që kishte për qëllim përkeqësimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë. Kështu u shpreh profesori universitar, Ali Pajaziti, në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja, i cili ka vlerësuar lartë veprimet e dy presidenteve pas kësaj ngjarjeje.
“Deklaratat e presidentit Putin dhe presidentit Erdogan, në këtë drejtim kanë pasur impakt të jashtëzakonshëm në zbritjen e topit poshtë, pra menduan me koka të ftohta e jo me koka të nxehta sikur që është zakon në ujërat politike, dhe me këtë rast i kontribuuan edhe paqes rajonale, edhe paqes evropiane, edhe paqes globale”, ka deklaruar profesori universitar Ali Pajaziti.
Ai shtoi se nuk mund të jetë rastësi që në një ditë pos vrasjes së ambasadorit në Turqi, ndodhi sulmi në Berlin si dhe në Cyrih.
“Qendra të caktuara, një rrjet i caktuar dëshironte që të krijojë një imazh ultra negativ që edhe ashtu ekziston për Turqinë dhe për muslimanët, edhe më tej ta shtyjë atë që quhet islamofobi, pra ta faktorizojë në kanale të ndryshme globale edhe islamofobinë dhe në të njëjtën kohë edhe turkofobinë”, tha më tej Pajaziti.
Sa i përket situatës në Siri, Pajaziti thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e vendosur në zgjidhjen urgjente të konfliktit, ndërsa ka shtuar se Liga Arabe dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik, kanë dështuar dhe nuk kanë dhënë asnjë kontribut në krizën në Lindjen e Mesme, e as në Pranverën Arabe.
“Nëse e bëjmë një analizë sociologjike do vërejmë se Liga Arabe ka përgjegjësi më të madhe ndaj sirianëve, sepse bëhet fjalë për njerëz me përkatësi etnike arabe. Edhe OBI-ja, pra të dyja këto instanca thuajse nuk ekzistojnë ose ekzistojnë thuajse vetëm në letër”, deklaroi Pajaziti.
Pajaziti ka vlerësuar lartë përpjekjet e Turqisë për të shpëtuar civilët e Halepit, duke thënë se çdo jetë e shpëtuar është vepër madhore.
Enis Murtezi /SHENJA/
Pajaziti: Vrasja e ambasadorit akt i qëllimshëm by tvshenjaofficial