Zëvendëskryeministari i parë i Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli theksoi sot se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi në këtë moment nuk është i mundur, për shkak të situatës që është sot në Parlamentin e Kosovës. Ai përsëriti se kjo nuk do të jetë pengesë për marrëdhënie të mira mes dy shteteve, ndërsa nga Mali i Zi u porosit se kjo çështje për Podgoricën zyrtare është e përfunduar, raporton Anadolu Agency (AA).
Pacolli sot qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, ndërsa u takua me homologun malazez Srdan Darmanoviç (Srgjan Darmanoviç).
Pas takimit, të dy ministrat në një konferencën për mediat përsëritën qëndrimet e tyre për demarkacionin, si dhe për marrëdhëniet në sferat tjera.
Ministri Pacolli përsëriti qëndrimin e tij se demakracioni me Malin e Zi momentalisht është i pamundur. “Lidhur me demarkacionin, ju e dini se ne jemi të vetëdijshëm se është nënshkruar marrëveshje, jemi të vetëdijshëm se ajo marrëveshje është këtu, por do ju lutesha që të merrni parasysh se kemi vështirësi momentale. Rtifikimi i kësaj marrëveshjeje sot është i pamundur. Për këtë doemos duhet të vijë dita dhe koha e duhur kur ne sërish do të takohemi”, tha Pacolli.
Duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi, ai shprehu falënderime, sipas tij, për gjithçka ka bërë Mali i Zi dhe bën momentalisht për këtë shtet, të cilin e njohu në vitin 2008.
“Kosova falënderon Malin e Zi për mbështetjen dhe ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje strategjike me Malin e Zi. Ne jemi të gatshëm të organizojmë mbledhje të përbashkët qeveritare, një apo dy herë në vit, në Podgoricë ose në Prishtinë. Kemi mjaft tema mbi të cilat dëshirojmë të bisedojmë. Dëshirojmë të shfrytëzojmë përvojat e Malit të Zi në rrugën drejt integrimeve evropiane. Dëshirojmë të avancojmë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, dëshirojmë vëllim më të madh të shkëmbimit të mallrave dhe parave. Jemi të gatshëm të ndërtojmë rrugë, meqë rrugët lidhin njerëzit, ato janë shenja të civilizimit”, theksoi Pacolli.
Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Darmanoviç, përsëriti qëndrimin e mëhershëm të Malit të Zi për demarkacionin me Kosovën, duke theksuar se nuk ka asgjë të re të shtojë mbi këtë çështje.
“Marrëdhëniet e dy shteteve tona janë shumë të mira dhe miqësore, me mundësi të shumta për përfocimin dhe avancimin e tyre të mëtejshëm. Në këtë aspekt, njëra nga temat në takimin e sotëm ka qenë edhe tema e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacion mes Malit të Zi dhe Kosovës në Parlamentin e Kosovës, që e kemi nënshkruar në Vjenë. Në këtë kuptim, ne nuk do të themi asgjë të re. Unë në bisedime shpreha bindjen se institucionet kosovare do të marrin vendim për ratifikimin e marrëveshjes. Siç kam njoftuar disa herë, demarkacioni me Kosovën është gjë që për Malin e Zi është e kryer. Ne kemi mirëkuptim për proceset e brendshme politike të Kosovës, sikur deri tani, do të tregojmë durim edhe gjatë periudhës së ardhshme, me pritje se institucionet e Kosovës do të tregojnë kapacitet normal demokratik dhe të përfundojnë ratifikimin në periudhë të arsyeshme”, tha Darmanoviç.
Ai shprehu pritjet se do të realizohet firmosja e marrëveshjes trepalëshe mes Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë për pikën e takimit të kufijve shtetërorë të të tre vendeve.
Darmanoviç tha se është bërë fjalë edhe për njohjen kushtetuese të malazezëve në Kosovë.
Pacolli gjatë vizitës do të takohet edhe me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Zoran Pazhin.
Po ashtu parashikohet që Pacolli të takohet edhe me liderët e partive politike shqiptare në Mal të Zi.