Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arjanit Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, “agjendës së mirëorkestruar” të VLEN kundër ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Sipas Hoxhës, ambasadori Meidani ka përmbushur në mënyrë profesionale dhe dinjitoze të gjitha detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Përderisa zhvillohet një fushatë kundër ambasadorit Meidani, në anën tjetër kemi funksionalizimin e ‘Botës serbe’, të cilën kjo qeveri po lejon të depërtojë thellë në çdo sferë të shtetit”, ka deklaruar Hoxha.
Ai shton se veprimet e VLEN tregojnë qartë orientimin politik të kësaj shumice qeveritare.
“Luftojnë ambasadorin Meidani, ndërsa mirëpresin Aleksandar Vuçiç si padronin kryesor të kësaj shumice qeveritare. Fjala popullore ‘fshati që shihet s’do kallauz’ po merr kuptimin e plotë, sepse ajo që kemi alarmuar vazhdimisht po ndodh para syve të të gjithëve — ‘Bota serbe’ po realizon qëllimet e veta”, theksoi Hoxha.


