Shporta minimale sindikale për muajin shtator arrin në 69.432 denarë, ose 757 denarë më shumë se gjatë muajit gusht. Sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, një familjeje katëranëtarëshe në shtator të vitit 2026 i nevojiten 25.259 denarë për ushqim dhe pije, që përbën 36,4 për qind të të gjithë shportës minimale sindikale. Nëse familja jeton në një banesë me qira prej 60 metrash katrorë, shporta minimale për muajin shtator arrin në 84.807 denarë.
LSM
“Në shtator të vitit 2025, shporta minimale sindikale arrinte në 65.077 denarë. Për vetëm një vit, buxheti minimal i nevojshëm mujor është rritur për 4.355 denarë”.
Shporta minimale sindikale paraqet shumën që, sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, i nevojitet një familjeje katëranëtarëshe për të mbuluar shpenzimet bazë mujore.
Kryetari I LSDM-së, Venko Filipçe tha se në Maqedoninë e Veriut është bërë e pamundur të jetohet, për shkak të rritjes së madhe të shpenzimeve dhe menaxhimit katastrofik të ekonomisë nga ana e Qeverisë së Hristijan Mickoskit.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Shporta sindikale vetëm brenda një muaji është rritur për gati 1.000 denarë. Kur kësaj i shtohen edhe shpenzimet për qiranë e një banese mesatare apo kësti i kredisë për banesë, shuma arrin në afro 90.000 denarë. Në Maqedoni është bërë e pamundur të jetohet nën pushtetin kriminal të udhëhequr nga Hristijan Mickoski”.
Ai paralajmëroi se kriza e rëndë ekonomike dhe financiare, të cilën e cilëson si pasojë të keqmenaxhimit të pushtetit, në periudhën e ardhshme pritet të thellohet edhe më shumë. Filipçe sqaroi se në tremujorin e fundit të publikuar të vitit 2026, investimet e huaja arrijnë në vetëm 18 milionë euro, ndërsa gjatë qeverisjes së LSDM-së ato ishin 250 milionë euro.
Sipas tij, barrë shtesë për qytetarët paraqet edhe huaja e re prej 1.3 miliardë eurosh, e cila do të duhet të shlyhet nga gjeneratat e ardhshme.
Filipçe edhe njëherë i bëri thirrje Qeverisë që ta mbështesë propozimin e LSDM-së për rritjen e pagës minimale në 600 euro.
/SHENJA/
The post (VIDEO) Shporta minimale e shtatorit arrit 69 432 denarë appeared first on TV-SHENJA.


