Marrëdhëniet e Shkupit dhe Beogradit po i kthehen normalitetit, stafi i ambasadës serbe sot është kthyer në Shkup, ndërkaq situata e ndodhur pas tërheqjes vikendin e kaluar, do të jetë temë e takimit të ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Serbisë, Nikolla Dimitrov dhe Ivica Daçiq, të cilën e kanë paralajmëruar për ditën e nesërme. Sipas kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, problemet janë zgjidhur nëpërmjet fjalës së mirë dhe miqësisë së sinqertë mes të dyja vendeve.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË
“Gjithçka që patëm për të njoftuar e thamë përmes njoftimit, përmes deklaratave të ministrit të jashtëm, zëvendës kryeministrit për euro integrime.Unë mund vetëm të shtoj se fjala e mirë dhe miqësia e sinqertë i zgjedhin problemet”
Lidhur me situatën e re të krijuar, sot u realizua takim edhe mes kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ambasadores së Maqedonisë në Beograd, Vera Jovanovska Tipko. Presidenti serb në këtë takim ka bërë edhe një hap tjetër për të përmirësuar raportet me Maqedoninë. Ai e ka porositur sot ambasadoren, që t’ia çojë mesazhin kryeministrit Zaev, për mbajtjen e një seance të përbashkët të dy qeverive deri në fund të vitit në Beograd.
Duke tejkaluar tensionet e fundit, Vuçiq ka thënë se me ambasadoren maqedonase kanë diskutuar për mbajtjen sa më të shpejtë të një takimi të Komitetit të Përzier për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Nga ana tjetër, presidenti serb është vendosur si cak i sulmeve nga deputetët opozitarë në Serni, të cilët e akuzojnë atë se e ka krijuar një,siç thonë ata, krizë të paqenë me Maqedoninë.
Ata e kanë krahasur tërheqjen e personelit diplomatik nga Shkupi me nisjen e të ashtuquajturit “treni rus”, i cili u nis nga Serbia, por u bllokua në kufirin me Kosovën. Sipas opozitarëve serbë, sjelljet e tilla të qeveritarëve serbë është një praktikë e pazakontë diplomatike.
Ndërkaq, ambasadorja serbe në Shkup Dushanka Divjak Tomiq, sipas MPJ-së serbe, duhet të kthehet në Shkup më 31 gusht, ndërsa pritet takim në mes saj dhe kryeministrit Zaev më 1 shtator.
Qeveria e Maqedonisë dje përmes një njoftimi të përbashkët me kabinetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se pas një bisede telefonike mes Zaevit dhe Vuçiqit janë rishikuar gjitha aspektet e situatës së krijuar pas incidentit diplomatik që ndodhi të dielën në mbrëmje dhe është arritur që çdo keqkuptim ta tejkalojnë me dialog. Ajnur Bafqari /SHENJA/
Normalizohen raportet Shkup-Beograd, Vuçiq… by tvshenjaofficial