Nën themelet e shumë shtëpive të reja në Hasanbeg, Stajkovcë, Straçincë, Creshovë e Haraçinë janë betonuar kujtimet e trishtuara të vërshimeve të një viti më parë që përfshinë komunën e Gazi Babës. Banorët sot janë zgjuar thuajse me në të njëjtin ankth duke përkujtuar luftën që bën me ujin që thuajse kishte mbuluar fshatrat e lartpërmendura. Fatkeqësisht, përveç dëmeve të mëdha vërshimet morën edhe 23 jetë. Në mesin e tyre edhe vajza16 muajshe Elif Fejzullahu që rezulton e zhdukur. Madje, familja Fejzullahu sot ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski të ndihmojë rreth rastit të vogëlushes, për shkak se deri sot statusi i saj është i papërcaktuar, nuk është evidentuar në regjistrin e të vdekurve ndërkohë që kërkimet për trupin e saj kanë përfunduar. Edhe një vit pas, dëmet që lanë vërshimet e jashtëzakonshme janë akoma të freskëta. Shumë familje thonë se jetën kanë nisur nga zeroja, e për këtë siç shprehen ata ka kontribuar ndihma shumë e vogël nga shteti. 7 anëtarët e familjes Maksuti tani kanë hyrë në shtëpi të re, por aspak të rregulluar nga brenda dhe jashtë.
Më kanë ndihmu shokët, miqtë, shtëpinë e kam ndërtu pak po brenda është pa rregullu, shtëpia e vjetër totalisht është dëmtuar. Prej shtetit i kamë marrë diku 1.200 euro, prej Kryqit të Kuq 1 mijë euro, 2500 euro kam marr krejt prej shtetit. Ja kam nis prej në zero, kam qenë i pari që na përfshiu uji, diku ishte 2.70 metra uji, barabart me kulmin. Kemi shumë nevojë, brenda e kemi pa rregullu, rrymën gjithashtu jo, brenda është vetëm me blloka, pa ly – tha Fadil Maksuti, banor i Hasanbegut.
Drita e parë e mëngjesit të 6 gushit 2016 shpalosi dëmet ekstreme që kishin shkaktuar vërshimet një natë më parë. Lumenj nëpër rrugë që me vete kishin bartur makina, mobilie e çka jo tjetër nga shtëpitë e shkatërruara ishte fotografia e pabesueshme por e vërtet për banorët e Hssanbegut. Në shtëpitë e 6 vëllezërve të familjes Rushiti nuk kishte mbetur asgjë, të gjithë anëtarët u detyruan të strehohen në konvikt ku dhe qëndruan 1 vit të plotë. Pas kthimit në shtëpi po mundohen ta marin veten dhe ngadalë të rikonstruojnë shtëpitë.
Pak kemi rregullu por kemi edhe shumë punë , të holla nuk kemi, sikur ti kemi do ti kishim përfundu të gjitha…Ajo nuk harrohet kurrë, çdo ditë e kujtojmë se si kemi shpëtua, falënderojmë Zotin që mirë jemi. Ende jemi duke punua, kemi thirr mjeshtër për ti rregullu dyert që u prishën. Murin e oborrit e kemi ndërtu, duhet patjetër ta rrethojmë, të gjitha nga pak – u shpreh Jonuz Rushiti, banor i Hasanbegut.
Ridvan Saqipi dhe Sabit Fazlija me lot në sy e zë të dridhur kujton vërshimet. Edhe një vit pas, ata shprehin revoltën ndaj institucioneve kompetente të cilat, sipas tyre, nuk ndanë dëmshpërblimet me shumë të duhur. Derisa ndihmat erdhën nga çdo anë, kush me makineri e kush me ushqim e kush tjetër me veshmbathje.
Dëm kemi pas 100 % me shkrim, me pagesë 200 euro, me i tregu dikujt është turp se vetëm në këtë shtet realizohet ai dallimi shqiptar-maqedonas. Ata kanë marr nga 8 mijë euro e ne kemi marr nga 200 euro. Çdo familje e imja, ne jemi katër vëllezër këtu, dëmin na e kanë shkrua 100 % a pagesën na e kanë bë 1 %. Krejt harxhimet vet, falënderoj farefisin. Me një ndihmë sociale nuk ndërtohet, apeloj deri te Qeveria e re që ta ketë parasysh edhe gjendjen e hasanbegalive se nuk është puna vetëm të jemi në karrige e për popullin kurrgjë – tha Ridvan Saqipi, banor.
Vjet na ndodhi një fatkeqësi që na mori të gjitha ato që kemi punu për 40 vjet. Për një vjet na dha diçka shteti pak diku 20 %, ne kemi shfrytëzua rezervat tona prej 30 %, kemi mbërri afër 50 % më shumë nuk kemi pas mundësi. Dëm kemi pas shumë, afër 4 kamionë mbeturina kemi hedh. Psiqisikisht jemi të lodhur, na vjen shumë keq, shumë keq e kemi përjetua – theksoi Sabit Fazlija, banor.
Pas daljes në teren, komisioni për vlerësimin e dëmeve publikoi të dhëna se mbi 5000 familje pësuan dëme të mëdha ndërsa mbi 600 hektarë tokë bujqësore u shkatërrua. Insitucionet kompetente konstatuan se bëhet fjalë për fatkeqësi natyrore dhe askush nuk mori përgjegjësi se për vite të tëra u toleruan lëshime të mëdha në infrastrukturën e ndërtuar kohë më parë.
Edhe një vit pas familje të caktuara kanë mbetur të pa dëmshpërblyera si për dëmet materiale ashtu edhe ato bujqësore. Edhe një vit nga vërshimet ende nuk ka përfunduar rikonstruimi i qarkores që ishte vatra kryesore e vërshimeve. Një delegacion i LSDM-së pikërisht nga qarkorja akuzoi VMRO-DPMNE se u kujdesën vetëm për tenderët dhe bizneset e tyre. Sipas LSDM-së qarkorja vazhdon të mbetet e shkatërruar edhe një vit pas për shkak se rikonstruimi i saj iu besua një tenderi të dyshimtë të firmës “Transemet” për një shumë prej katër milionë euro.
Melihate Rustemi

