Kryetari i Komunës së Tetovës dhe një nga krerët e VLEN-it, Bilall Kasami, ka reaguar një natë para vendimit që pritet të merret nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raportin Gjurmë.info.
Kasami e ka cilësuar luftën e UÇK-së si luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të saj e ka vlerësuar si të padrejtë dhe kundërthënës.
Në reagimin e tij, Kasami shprehet se pret një vendim të drejtë, i cili, sipas tij, do të konfirmojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin; viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës”, ka shkruar Kasami.
Ai ka theksuar se liria e Kosovës është fituar përmes sakrificës, guximit dhe gjakut, duke shprehur solidaritet me liderët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Momenti i së vërtetës po afron”, ka shkruar Kasami, duke e përmbyllur reagimin me mesazhin: “Për lirinë, drejtësinë, dinjitetin. Për Kosovën.”/Gjurmë.info/




