Këshilli i Qytetit të Shkupit dje ka votuar nismën për të mbështetur financiarisht Klubin e futbollit KF Vardar, që ishte dorëzuar nga një këshilltar.
Kjo nismë është mbështetur me shumicë votash, por tani nuk është caktuar se sa do të jetë shuma financiare që do ti jepet klubit të “komitëve” dhe se për këtë do të vendos kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, përcjell INA.
Para tetë muajve ishte një nismë e njejtë e miratuar për ndihmë prej 250 mijë eurove për KF Vardarin, por nuk ka kaluar në Ministrinë e Financave.
Në mbledhjen e djshme është miratuar një amendament për rebalans të buxhetit të 2023, ku parashihet që rreth 12 milionë denarë apo 200 mijë euro të transferohen në llogaritë e klubeve shkupjane, të cilët do të aplikonin përmes një thirrje publike.
Por, lidhur me nismën për ndihmë për KF Vardarin kanë reaguar tifozët e klubit “KF Shkupi”. Tifozët “Shvercerët” dënuan ashpër vendimin për ndihmë Vardarit, që sipas tyre është klubi më i dobët.
“Duke patur parasysh se FC SHKUPI po e përfaqëson qytetin as edhe një ndihmë minimale nuk i’u është dhënë gjatë këtyre viteve sidomos për ndeshjet europiane ku siç dihet janë paguar shuma të mëdha për të luajtur në stadiumin e qytetit. Qyteti Shkup funksionon me anë të tatimeve që ne paguajmë për një qytet të pastër, urban e jo që të hollat tona të shkojnë për mbeturinat e sistemit dhe politikës. Andaj kërkojmë që ky vendim të shqyrtohet dhe nëse ndodh një gjë e tillë le të përgatitet i gjithë qyteti për pasoja”, reaguan “Shvercerat”. (INA)