Nëse nuk bën probleme BDI, BESA do t’i merr një deputet VMRO-DPMNE-së

Lëvizja Besa paralajmëron se ka gjasa që në Njësinë Zgjedhore 2 ta merr edhe një deputetë, prandaj do të dorëzojnë edhe një ankesë.

Burime të Gazetës Lajm nga Lëvizja Besa thonë se gjithçka varet nga anëtarët shqiptarë në KSHZ, që janë nga radhët e BDI-së, sepse anëtari i PDSH-së me siguri do të përkrahë kërkesën e tyre.

Dallimi ëhtë rreth 50 vota dhe nëse pranohet ankesa e Lëvizjes Besa për prishjen e zgjedhjeve në një vendvotim ku dyshohet që ka pasur manipulime, atëherë janë reale gjasat që Lëvizja Besa të merr edhe një deputet në Njësinë zgjedhore numër 2. Nëse KSHZ-ja e pranon ankesën, atëherë Besa do të ketë 6 deputetë.

Një ndryshim i këtillë do të ngushtonte në një deputetë, dallimin në mes të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, prandaj supozohet që edhe anëtarët e LSDM-së në KSHZ do të pranojnë ankesën e Lëvizjes Besa.

Për këtë çështje, Lëvizja Besa do të mbajë një konferencë shtypi para selisë së KSHZ-së, rreth orës 15.