Xhevdet POZHARI
Mjafton një vizitë ta bësh një Gjakovë dhe posa të shkelësh në kalldërëmin e çarshisë të ndjehesh se ndodhesh në një qytet me një histori të lashtë dhe të begatë kulturore. Pavarësisht tentimit për ta shkatërruar këtë trashëgimi të çmuar duke e djegur pjesën më të madhe të saj në luftën e fundit, Gjakova u rindërtua dhe ruajti të njëjtin portret që atë e shquan nga qytetet e tjera, fizionominë e qytetit ku zë fill toleranca ndërfetare. Qyteti me tre muze, xhamitë, teqetë dhe katedralen është simbol i një atdhedashurie e cila kultivohet me fanatizëm.
Nuk e di për të tjerët, por personalisht shkrimet më të vështira i kam kur bëjë përpjekje të shkruaj për vendlindjen. Për qytetin që t’i mban peng kujtimet rinore, shpresat dhe ëndërritjet e dikurshme. Tani, kur kaloi më shumë se një dekadë që nuk eci çdo ditë në rrugët të cilat dikur i njihja symbyllurazi dhe si shumë bashkëmoshatarë të tjerë nga Gjakova u larguam në përpjekje të një jete më të mirë, megjithatë mbetet e njëjtë dashuria për qytetin ku kalova ditët më të lumtura, por edhe më të trishta të jetës…
Dhe Gjakova nuk është një qytet dosido. Jo më kot është quajtur djep i kulturës dhe i dijes. Qyteti i cili ndan malësinë me shtetin amë, ka pozitën më të përshtatshme gjeografike për tu zhvilluar. I rrethuar me alpet shqiptare, me dy lumenjtë – Ereniku që derdhet në Drinin i cili e rrethon, si dhe Krenën që kalon nëpër zemër të saj, Gjakova ka edhe liqenin e saj artificial, Radoniqin. Po ashtu, Gjakova shtrihet nën kodrën e Çabratit i cili bart edhe vulën e historisë së këtij qyteti. Dikur, kjo kodër njihej si vend i përshtatshëm për kultivimin e rrushit, ndërsa sot ky aktivitet thuajse është shuar tërësisht. Tani më shumë se sa për rekreacion, një pjesë e kësaj kodre është shndërruar në hapësirë të përshtatshme për disa lokale afariste. Lokalet afariste kanë pushtuar edhe çarshinë e vjetër ku kryesisht e kalon kohën rinia e papunë në pritje të fatit të tyre! Në cepin tjetër të qytetit, shtrihet edhe hapësira e gjelbër e njohur si “Shkugëza”, zonë e gjelbër me rreth 70 hektarë, ku po ashtu veprojnë disa bizese të cilat mundohen të mbijetojnë në qytetin i cili ishte dikur ishte në mesin e qendrave më të zhvilluara në Kosovë, ndërsa sot prinë me numrin e atyre që e braktisin.
Që nga periudha e pasluftës, Gjakova njihet si një prej qyteteve që pësoi më së shumti dhe mbeti larg investimeve të mirëfillta. Njëkohësisht, Gjakova mbase është e vetmja që i mbijetoi “pronësimit” nga ndonjë parti pasi që ajo thuajse në të gjitha ciklet zgjedhore refuzoi të bëhet bastion i ndonjë partie të caktuar.
Qyteti që në vitet e para të pasluftës qeverisej nga LDK, shumë shpejtë pushtetin ia dha AAK’së, ndërsa nuk ngurroi ta ndëshkojë edhe këtë të fundit duke e zgjedhur kryetaren e parë grua me shpresën se një vajzë e shkolluar dhe elokuente do të bëjë ndryshimet pritura.
Me një fjalë, gjakovarët në çdo cikël zgjedhor vepruan të vetëdijshëm se sa më megalomane janë premtimet e atyre që ua kërkonin votën, aq më shumë pasuroheshin ata që qeverisën me këtë qytet, sikundërse edhe më shumë thellohej varfëria e popullatës së kësaj ane. Emrat e përveçëm mund të zbërthehen lehtë edhe me një shikim të shpejtë të formularëve të deklarimit të pasurisë së secilit përfaqësues të subjekteve politike. Dhe sa më shumë që varfërohej popullata, më të pasur çuditërisht bëheshin “të zgjedhurit e popullit”. Andaj, mbase jo rastësisht, ndryshimet më dramatike sa i përket votave të partive politike ndodhin pikërisht në qytetin i cili duke qenë i paparashikueshëm dëshmon se ka elektoratin më të pjekur që “gabimin e njëjtë nuk e përsërit dy herë”!
Dhe sot, gjakovarët përballë tyre kanë alternativat politike, kanë zgjedhje pa zgjidhje që reflektojnë fytyrën e dy qeverisjeve të cilat Gjakovës i dhanë shumë pak, ndërsa ia vodhën të ardhmen.