Alsat 2020-01-24T15:01:25+01:00
Nëse jo nga bora, ky dimër do të mbahet mend për ndotje enorme të ajrit. Të paktën, kështu thonë indekset e matjes së cilësisë së ajrit, që vendin tonë e rendisin në majat e listave botërore të ndotjes. Mbrëmë shifrat ishin të larta në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Por, numri “dy” i Ekologjisë Jani Makraduli tha se nuk është tejkaluar limiti, se masat merren sipas indeksit të sistemit të monitorimit të ajrit.
Jo, sepse matet mesatarja e dendësisë së ndotjes në ajër si në vendet anëtare të BE-së dhe ekzistojnë dy opsione: informimi nëse dy ditë tejkalohet limiti dhe alarmimi kur situata vazhdon edhe për dy ditë të tjera. Këtë dimër, alarmi u ndez vetëm në Strumicë dhe Tetovë. Kur të arrihet kjo fazë hynë në fuqi masat e parapara – tha Jani Makraduli, Zëvendësministër i Ekologjisë.
Në dimrin e kaluar Qyteti i Shkupit katër herë ka dhënë alarmin e gjendjes së jashtëzakonshme nga ndotja e ajrit, me ç’ rast u patën marr masa në regjimin e qarkullimit në trafik, reduktim të punës së fabrikave të industrisë së rëndë, shtyrja e gjysmë vjetorit dytë nëpër shkolla. Shqetësimi i qytetarëve është edhe importi i mbeturinave për djegie, të cilën ambientalistët e shohin si ndotës të ajrit.
Kurse, kreu i Qytetit Shilegov tha se nuk e dinë nëse në Drislla janë djegur mbeturinat e importuara.
Në shtetin tonë nuk ka të importuara mbeturina për tu deponuar. Kjo do të thotë që mbetjet e prura nga jashtë nuk kanë përfunduar në Drislla – deklaroi Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Sipas të dhënave të Entit për Statistika, nga gjithsej 8,2 milion tonelata që në vitin 2014 kanë hyrë në vend nga jashtë, mbi 7.4 milionë tonelatë është importuar nga Bullgaria. Por, zëvendësministri Makraduli tha se më shumë shesim se sa blejmë mbeturina, duke theksuar se vetëm nga Fabrika Ohis vjet janë eksportuar 15 tonelatë mbeturina toksike në Evropë.
Do të përpiqem të përgjigjem për importin e mbeturinave në periudhën kur kam qenë i papunë. Në periudhën 2015-2016, kur ka hyrë sasia më e madhe e mbeturinave. Por, tani shtrohet pyetja çfarë bërlloku ka qenë dhe a është përdorur për diçka – theksoi Jani Makraduli, Zëvendësministër i Ekologjisë.
Ndërkaq, shtyrja e votimit të Ligjit për menaxhim me mbeturina vlerësohet si interes i funksionarëve të shtetit që bëjnë biznes me mbeturinat, tha Liljana Popovska. Deputetja e Partisë së gjelbër si nismëtare e ndryshimit të nenit për të ndaluar importin e mbeturinave për derivate, tha se nuk ka logjikë që Kuvendi kërkoi kohë shtesë për të mos shkelur Konventën e Bazelit, në të cilën thuhet se një shtet që eksporton mbeturina është i detyruar edhe të importojë mbetje nga jashtë.
Adnan Qaili
Loading…



