Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka akuzuar opozitën për bllokim të Kuvendit dhe projektit që kap vlerën e mbi 80 milionë eurove.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita,
“Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare. Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes”, ka shkruar Murati.
Tutje, ai tha se projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MW gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër.

“Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, dhe shumicën e financimit si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane”.
Sipas tij, kundërshtimi i këtij projekti nga opozita është përtej çdo logjike.
“Ka edhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për nënstacionet e KOSTT në vlerë prej 25.5 milionë euro (plus 9 milionë euro tjera grant ne pritje), apo marrëveshja me OFID në vlerë 40 milionë USD, që po ashtu presin për dritën e gjelbër të Kuvendit. Pra janë mbi 150 milionë euro në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi”.
“Ka shumë mënyra për të bërë opozitë. Mirëpo bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do duhej të ishte njëra nga to”.
Ai ka lutur deputetët e opozitës që të heqin dorë nga inatet politike dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme.
/Shqip.com