Një shumë prej 579 mijë eurosh, e transferuar nga Gjermania në një llogari bankare në Maqedoninë e Veriut, ka vënë përballë drejtësisë një nënë dhe djalin e saj nga rajoni i Radovishit, të dyshuar për evazion fiskal.
Sipas MPB-së, gjatë periudhës tetor 2019 – nëntor 2021, I.J. (47), si person i autorizuar në llogarinë bankare të nënës së tij A.J. (71), ka pranuar transferta prej gjithsej 579.015 eurosh nga një person në Gjermani, pa i deklaruar si të ardhura të tatueshme.
Kontrollet e Drejtorisë së të Ardhurave Publike kanë konstatuar një detyrim tatimor të papaguar prej mbi 3,1 milionë denarësh, përfshirë kamatën.
Hetimet policore kanë ngritur gjithashtu dyshime se një pjesë e parave është përdorur për ndërtimin e një objekti pa leje dhe blerjen e pasurive të luajtshme.
Policia e Radovishit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Strumicës ndaj 47-vjeçarit për evazion fiskal, pastrim parash dhe ndërtim pa leje, ndërsa ndaj nënës së tij për evazion fiskal.



