Shkruan: Xhevdet Pozhari
Jo prej tani, por qëmoti, në shoqëritë shqiptare, politika është shndërruar në profesionin më fitimprurës dhe që të sjellë shumë privilegje. Andaj, thuajse të gjithë – që nga rrugaçi e deri tek profesori e akademiku – duan, o të bëhen politikanë, o të kenë partinë e vet, e cila do u ofroj përfitime dhe ecje drejt majave karrieriste.
Dhe duke qenë se jemi mjedise ku për çdo gjë vendos partia dhe i pari i partisë, ndodhi edhe e pashmangshmja: partizimi i shoqërive shqiptare. Ose thënë edhe më qartë: shoqëritë shqiptare u bënë pronë e partive, kështu që thuajse çdo lagje ka partinë e vet, njëjtë sikundërse çdo “bandë” partiake që ka mëhallën e vet.
Jo vetëm tani, por dekada me radhë, në shoqëritë shqiptare kultivohet vetëdija se nuk janë drejtuesit partiak në shërbim të partisë dhe popullit, por partia dhe votuesit janë në shërbim të drejtuesve partiak. Andaj, themeluesit dhe drejtuesit partiak, ndjehen si pronar të kompanisë së tyre private, e cila atyre duhet t’u ofrojë përfitime personale dhe të cilën duhet mbyllur nëse për një çast ka rrezik që dikush tjetër ta merr kontrollin mbi të. Pra ajo kurrë nuk trajtohet si vlerë publike e kolektive dhe drejtuesit partiakë i vlerësojnë votuesit dhe anëtarësinë partiake vetëm për aq sa përfitojnë personalisht nga vota dhe mbështetja e tyre.
Në shoqëritë shqiptare, me vite është ngulitur bindja se nuk vlejnë gjë aftësitë e dhuntitë individuale, nëse ato nuk janë të “certifikuara” edhe me emblemën partiake. Emblemë e cila ta mbulon shëmtinë personale, siç ta ‘kompenson’ edhe atë që nuk ke në kokë. Me çka edhe ndodh që një individ, të cilin nuk e çmojnë as familjarët e vet, me ndihmën e emblemës partiake, të bëhet ‘vlerë’ kolektive.
Dhe duke jetuar në këtë realitet, partitë shqiptare u shndërruan në strehimore, kryesisht të karrieristëve të paaftë, për profesionist të parealizuar në profesionet e tyre, e madje edhe për besimtarë të rrejshëm, të cilët edhe kur ‘lidhen’ me Zotin, në mendje kanë manipulimin e votuesve.
Se sa e thelle është bindja se partia është çdo gjë, ndërsa ideale dhe njerëzorja pa partinë nuk vlejnë asgjë, e dëshmojnë edhe ngjarjet e fundit që e kanë përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lëvizjen BESA në Maqedoni. Madje. ndodhitë e fundit në Lëvizjen BESA edhe më qartë e pasqyrojnë se deri në çfarë përmasash ka arritur bindja se organizimi partiak është i barabartë me hapjen dhe themelimin e një kompanie private, të cilën duhet ta mbyllesh në çastin kur e ndjen se udhëheqjen e saj mund ta marrin në duar të tjerët.
Pastaj ngjarjet në Lëvizjen BESA dëshmojnë se çka ndodh me partinë kur drejtuesit e saj janë gjithçka, e me dhjetëra mi votuesit e mbështetësit e saj, thuajse asgjë. Pra, këto ngjarje tregojnë si përfundojnë vullneti, ideali dhe partia që ka rënë në duart e atyre që interesin e vet e kanë barazuar me atë të popullit.
Ngjarjet e fundit në disa subjekte politike shqiptare, tregojnë se veprimtaria partiake është barazuar me atë të pronarit të dyqanit privat, të cilit ia ndërron bravën kur të duash dhe sa herë që donë ta mbrosh nga ‘hajdutët’. Këto ngjarje shpalosin edhe bindjen politike se partinë nuk e bëjnë njerëzit, por partia e bënë njeriun! Dhe prandaj ndodh që drejtuesit partiak të mos njohin as përgjegjësi e as turp, por të shkelin mbi çdo gjë njerëzore, vetëm që të mbeten në krye të partisë. Pastaj edhe të bëjnë çmos që t’i njollosin njerëzit që kanë kontribuar për të mirën e tyre personale dhe të popullit të vet, që kanë lënë vulën e vet në mija libra e projekte kulturore, pra të lënë pas vetes sa më shumë rrënoja, ta pështyjnë dorën që i ka ushqyer dhe që e kanë lëpirë. Pra të bëjnë atë që u ka hije atyre që besojnë se më lehtë sundohet tërë një popull, se e keqja në vetvete.
Po pra, shoqëritë shqiptare janë bërë prone e partive politike, e partitë janë shndërruar në kompani private të drejtuesve të tyre. Dhe duke qenë kështu, bëhet e pamëshirshme beteja se kush do i merr ato në duar. Gjë të cilën më së miri e dëshmojnë ngjarjet e fundit në Lëvizjen BESA, ku e ke të vështirë t’i njohësh edhe ata me të cilët ke bashkëpunuar, apo që deri dje i ke llogaritur për miq që e shkelin vetveten por jo edhe besën e dhënë. Dhe që të çojnë të thuash: po, njeriu edhe mund të verbohet nga rreziku që t’i humb privilegjet që ka pasur, por të çoroditesh aq sa nga një individ i përkushtuar ndaj Zotit, të shndërrohet në shërbëtor i djallit, është diçka që mund t’u ndodh vetëm atyre që për interesa të veta janë të gatshëm ti vjedhin edhe çelësat e xhamisë, e jo më të selisë partiake.
Ku ta dish, ndoshta prej moti jemi bë shoqëri ku nuk e din se kujt t’i besosh, ngaqë nga çdokund të rrethojnë edhe ata që, kur janë në pyetje interesat e tyre personale, janë të gatshëm ta djegin edhe faltoret ku i luten Zotit, e lë më selinë partiake. Por sido qoftë, njeriu nuk mund ta shmang pyetjen: si është e mundur që ata që pretendojnë ta marrin në duar fatin e popullit, të mos mund ta sundojnë vetveten, si dhe fatin e vet ta vënë mbi atë të dhjetëra mi votuesve dhe mbështetësve të partisë? Dhe me aq lehtësi t’i ndërrojnë bravat e selisë partiake dhe të futen dhunshëm në të, duke harruar se populli i vështron dhe ndoshta thotë: të falemi o Zot që ua nxjerrë maskat dhe na mundëson të shohim se nuk janë engjëjt që shihen, por djajtë që fshihen!