Rasti “Monstra” duket larg përfundimit. Në seancën e parë të caktuar pas pushimeve vjetore, avokatët e palës mbrojtëse kishin përgatitur një listë provash materiale dhe verbale. Në mesin e personave që ata kanë kërkuar të dëshmojnë janë ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe kryetari i Ilindenit, Zhika Stojanovski. Ndërkaq, avokati Naser Raufi tha se këta dëshmitarë mund ta dyfishojnë listën e provave.
Naser Raufi, avokat i palës mbrojtëse
“Prej dëshmitarëve verbal, janë për shembull kryetari i komunës së Ilindenit Zhika Stojanovski, se në stadiumin e gjykimit kur erdhi aktgjykimi i parë praktikisht, nuk lejuan që të vije ai dhe të vërtetoj prezencën e të akuzuarit Fejzi Aziri në këtë promovim që e ka pasë komuna…po edhe Mile Janakieski, pasi është personi që ka pasë telefonatë me Gordana Jankullovskën dhe i vetmi që nuk ka ardhur praktikisht deri tani që të dëshmoj”.
Goran Miloshevski, i cili kishte qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes më 12 prill 2012, si shef i sektorit për mbikëqyrje në vendin e ngjarjes pranë SPB Shkup, gjatë dëshmisë së sotme tha se gjatë kohës që ai ka qenë në vendin e ngjarjes as që e ka parë veturën “Opel Omega” dhe as nuk e di lidhshmërinë e veturës me këtë rast. Madje deklaroi se po ashtu nuk është në dijeni se prej nga ka buruar informacioni për këtë ngjarje.
Goran Milloshovski, inspektor policie
“Unë gjithë jetën kam punuar në MPB. Unë kam qenë i thirrur nga eprori Vllado Mirçevski, për të shkuar, në vendin e ngjarjes, por nuk e di se prej nga ka buruar ky informacion. As nuk kam marrë njoftim se atje ka ndonjë vetrurë dhe as nuk kam parë veturë as atje dhe as në MPB. Kompetenca jonë është për inspektim në vendin e ngjarjes. Se çfarë lidhje ka vetura ‘Opel Omega’ me ngjarjen nuk di t’ua them”.
Avokatja e palës së dëmtuar Dafinka Ivanovska, deklaroi se dëshmia e tij nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë procedurë.
Dafinka Ivanovska, avokate e palës së dëmtuar
“Nuk ka diçka që do të ndikonte për një vendim të ndryshëm në procedurë ose të dhëna të rëndësishme, nga shkaku se dëshmitari është thirrur në rrethana për të sqaruar për ‘Opel Omega-në’, se si ka ardhur deri tek paraqitja, ku ka qenë vetura e vendosur. Megjithatë, nuk kishte asnjë njohuri, sepse në fakt ai ka punuar sipas rrethanave të ndryshme, gjegjësisht ka qenë shef i sektorit për mbikëqyrje në vendin e ngjarjes”.
Inspektori që kishte dëshmuar seancën e kaluar kishte thënë se ai dhe një koleg i tij kanë gjetur makinën me të cilën pretendohej se ikën autorët e vrasjes brutale të pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës tetë vjet më parë.
Sipas tij, ata kanë marrë urdhër nga oficerët kompetentë, që të kryejnë një ekspertizë në vendngjarje dhe detyra e tyre ka qenë ta çonin makinën në mënyrë të sigurt në Ministrinë e Brendshme për të kryer ekspertizë.
Për vrasjen e 12 prillit të vitit 2012, kur u vranë pesë djem të rinj akuzohen Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Seanca e ardhshme është caktuar për më 31 gusht dhe pritet të dëshmoj edhe përfaqësuesi i MPB-së i cili sipas Haki Azirit kishte ushtruar dhunë ndaj tij, për të pranuar që ai të bëhej dëshmitar i mbrojtur.




