Deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska, ka kërkuar mbledhje urgjente të Komisionit për Mundësi të Barabarta, me pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, dhe prokurorit Nenad Saveski, pas rastit të dhunës brutale ndaj Sarës nga Ohri.
Trençevska kërkoi përgjegjësi dhe sanksione për lëshimet e mundshme të policisë, prokurorisë dhe gjykatës, duke kritikuar lirimin e të dyshuarit me masa kujdesi.
Sipas saj, rasti duhet të trajtohet si tentativë për vrasje, ndërsa institucionet kanë dështuar në mbrojtjen e viktimës.
Ajo kërkoi gjithashtu miratimin urgjent të ndryshimeve ligjore për mbrojtjen e grave nga dhuna, të cilat, sipas saj, janë bllokuar që nga gushti.
“Gratë nuk do të heshtin dhe nuk do të pranojmë që viktimat të jetojnë në frikë, ndërsa dhunuesit të ndihen të paprekshëm”, deklaroi Trençevska.



