Një rrjet i lidhur me shërbimet iraniane të inteligjencës është zbuluar në Maqedoninë e Veriut, i cili dyshohet se po përgatiste logjistikën e një atentati ndaj një personi në Greqi. Drejtori i Agjencisë Kombëtare, Bojan Hristovski, njoftoi se aksioni është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, në bashkëpunim me shërbimet greke dhe partnerët ndërkombëtarë. Në kuadër të operacionit janë arrestuar pesë persona, nga mosha 29 vjeçare deri më 73 vjeç, katër në vend dhe një në Greqi, ndërsa një tjetër është ende në kërkim.
BOJAN HRISTOVSKI, DREJTOR I AGJENCISË SË SIGURISË KOMBËTARE
“Bëhet fjalë për persona të konsoliduar në strukturat kriminale në vend, të cilët, sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të shtetasit iranian, ndërmorën aktivitete përgatitore logjistike për kryerjen e një akti terrorist, përkatësisht atentat ndaj një personi në Greqi.”
Gjatë bastisjeve në katër lokacione në Shkup dhe Kumanovë, policia ka sekuestruar telefona, laptopë, kompjuterë, pajisje USB, dokumente me kontakte, një skicë me lokacion të shënuar, si dhe armë dhe municion. Drejtori i Byros për Sigurinë Publike, Aleksandar Janev, tha se rrjeti ishte i lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i cili dyshohet se kishte lidhje me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës, si dhe me bosin e drogës Naji Sharifi Zindashti.
ALEKSANDAR JANEV, DREJTOR I BSP-së
“Në bazë të urdhrave të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë kryer bastisje në katër lokacione, me ç’rast janë privuar nga liria katër persona. Gjithashtu, në Republikën e Greqisë është privuar nga liria edhe një person tjetër, i cili iu dorëzua organeve kompetente në vendin tonë. Për personin e gjashtë, për të cilin ka informacione se ndodhet jashtë shtetit, po kërkohet”.
Për rastin është njoftuar Prokuroria Publike, ndërsa pesë personave u janë caktuar masa nga gjyqtari i procedurës paraprake. Nga MPB-ja bëjnë të ditur se bashkëpunimi me ASK-në ka rezultuar me veprime në dhjetë raste që nga fundi i vitit 2024, ku janë përfshirë gjithsej 22 persona.
Nga ASK-ja dhe BSP-ja bëjnë të ditur se do të vazhdojnë punën për zbulimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste përmes elementeve proksi nga Irani, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjete të tilla.
Samir Mustafa /SHENJA/



