13 Shtator 2018 / 19:10
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini gjatë qëndrimit të saj në Shkup u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike në referendum, pa dëgjuar askënd se a të votojnë “për” ose “kundër” por vetëm duke u bazuar në dëshirat e tyre mbi të ardhmen e vendit që e duan.
Mbani mend që më 30 shtator kur të shkoni dhe të votoni në referendum, ju mbani në duar çelësat e të ardhmes së vendit. është në duar tuaja dhe vetëm në duart tuaja dhe askush nuk mund ta bëj atë për ju. Nuk mund t’ia lejoni vetës dhe të humbisni këtë mundësi ku do të vendosni për të ardhmen që dëshironi- deklaroi Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e BE-së.
Duke komentuar qëndrimin e përmbajtur të VMRO-DPMNE-së ndaj referendumit, Mogerini kërkoi nga aktorët politik në vend të mbajnë llogari për atë se çfarë mund të ndodh në rast se lëshohet ky shans, ku sipas saj BE ka hapur dyert për Maqedoninë.
Nuk është punë e imja dhe vendeve anëtarë që të ndërhyjmë në politikën e brendshme, por shfrytëzoj rastin dhe gatishmërinë time që t’i bëj thirrje të gjithëve që ta shfrytëzojnë shansin për të përdorur këtë instrument demokratik dhe të ushtrojnë cilëndo të drejtë që kanë, për ose kundër. Mendoni se çfarë mund të ndodhë më vonë nëse nuk e shfrytëzoni gatishmërinë tuaj në momentin e duhur- Federika Mogerini.
Ndërkohë lideri opozitarë Mickoski, pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, u bëri thirrje qytetarëve që më 30 shtator të vendosin me krenari dhe dinjitet.
Qytetarët e RM, maqedonasit dhe të tjerët që të mbajnë krenarinë e tyre dhe të mos bëhen pre e provokimeve të kreut të qeverisë. Ju jeni krenar që jetoni në këtë shtet. Këtu është VMRO-DPMNE-ja e cila gjithmonë ka qenë shtyllë e këtij shteti, ashtu do të jetë edhe më tej. Dëgjojeni zemrën tuaj, dëgjojeni arsyen se si të vendosni në jetë, ashtu veproni edhe më 30 shtator- tha Hrtistijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri Zoran Zaev theksoi se me vizitën e përfaqësues së BE-së në Shkup, vërtetohet rruga në të cilën ndodhet Maqedonia.
Tani të gjithë qytetarët e Maqedonisë duhet të tregojmë unitet dhe vendosmëri në referendumin e 30 shtatorit, të vendosim për marrëveshjen dhe të vendosim për të ardhmen tonë- Zoran Zaev.
Përpos kryeministrit Zaev dhe Mickoski, Mogerini takoi edhe presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov.
Adrian Kerimi


