Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski u takua me presidentin bullgar Rumen Radev në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Pallatin Blenheim në Oksford, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Rumen Radev, në bisedë me kryeministrin Hristijan Mickoski, shprehu shpresën se Republika e Maqedonisë së Veriut do ta përshpejtojë zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe marrëveshjet e vendit me Bashkimin Evropian, që do hap perspektivën për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë me BE-në”, njoftojnë nga kabineti i Presidentit bullgar.
Në takimin me Radev, ai kërkoi zgjidhje të qëndrueshme të problemit me Bullgarinë. Muajin e kaluar Mickoski tha se përderisa është në detyrë nuk do të dorëzohet para “diktatit bullgar” për ndryshime kushtetuese.
“Prioriteti kryesor i Maqedonisë dhe i Qeverisë së re të Maqedonisë janë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përfundimisht gjetja e një zgjidhjeje të përhershme dhe të qëndrueshme për problemin që kemi me fqinjin tonë lindor”, theksoi Mickoski në takimin me Radev./Telegrafi/