Bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti ka uruar zgjedhjen e presidentes së re Justina Shiroka Pula, duke i uruar përkushtim dhe punë në sfidat e ardhshme.
“Presidenten e re të Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, e njohim përmes kontributit të saj intelektual dhe librave të saj në fushën e ekonomisë. Është një intelektuale e dëshmuar, dhe zgjedhja e saj nderon jo vetëm institucionin e Presidentit, por gjithë botën akademike.
Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës është një hap i rëndësishëm për Kosovën, për forcimin e stabilitetit institucional dhe politik dhe për një frymë të re përgjegjësie në një kohë sfiduese për shtetin e Kosovës dhe për krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me një proces të padrejtë gjyqësor.
Konsensusi i arritur mbrëmë është dëshmi e pjekurisë politike dhe e vizionit për tejkalimin e ngërçeve institucionale. Për këtë, përgëzime për kryeministrin Albin Kurti për maturinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të rëndësishëm.
Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabilitet dhe unitet politik.
Urime Kosovë!”, shkroi Mexhiti.



