Një prokuror publik nga Prokuroria e Lartë Publike në Manastir dyshohet se e ka keqpërdorur pozitën zyrtare për të ndikuar në vendimmarrjen e prokurorëve publikë dhe gjyqtarëve në të paktën katër lëndë. Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur procedurë ndaj tij, nën dyshimin për veprën penale „Pranimi i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm“, sipas Kodit Penal.
Prokurori është vëzhguar gjatë periudhës së kaluar përmes masave të posaçme hetimore, përfshirë incizimin. Nga Prokuroria nuk zbulojnë nëse rastin e kanë denoncuar kolegët ndaj të cilëve dyshohet se ka ushtruar presion për zgjidhjen e lëndëve, duke theksuar se nuk mund të japin detaje për hetimin. Edhe pse nuk e kanë bërë të ditur emrin e të dyshuarit, në opinion po qarkullojnë spekulime se bëhet fjalë për një prokuror që lidhet me kthimin e kontestuar të pasaportës së biznesmenit nga Manastiri, Borçe Markovski. Ai është pronar i kompanisë „Markovski“ dhe i akuzuar në lëndën për keqpërdorime gjatë një prokurimi publik në REK „Manastir“.
Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës së kaluar janë siguruar prova përmes disa veprimeve dhe masave të posaçme hetimore. Ato ngrenë dyshime se i dyshuari e ka përdorur ndikimin e tij real dhe pozitën zyrtare për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në vendimmarrjen gjatë procedurave penale. Bëhet fjalë për të paktën katër lëndë të veçanta në zonën ku ushtronte funksionin. Sipas të dhënave të deritanishme, ai ka ndërhyrë që të shqiptohen dënime më të ulëta ose që të dyshuarve dhe të akuzuarve t’u sigurohet pozitë më e favorshme procedurale, njoftojnë nga Prokuroria.
Të martën në mbrëmje, me urdhër gjykate, janë kryer kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit dhe në hapësirat e Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir. Kontrollet janë bërë për të siguruar prova shtesë në procedurë. Prokuroria nuk ka treguar nëse janë gjetur para te prokurori.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup e ka pranuar propozimin për caktimin e masave të kujdesit. Të dyshuarit i është marrë pasaporta dhe i është ndaluar të kryejë aktivitete të caktuara në punë, çka praktikisht e largon nga vendi i punës. Palët kanë të drejtë të ankohen kundër vendimit në Këshillin Penal të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, njoftoi Gjykata.
Rasti vjen pak kohë pas publikimit të lajmit se Prokuroria Themelore Publike në Strugë ishte kundër kthimit të pasaportës së Markovskit, ndërsa Prokuroria e Lartë Publike në Manastir kishte dhënë mendim pozitiv. Pasi gjykata në Strugë vendosi që t’i kthehej dokumenti i udhëtimit, Markovski u largua nga vendi përmes pikës kufitare „Tabanoc“. Atje u ndalua për kontrolle, por u lejua të vazhdonte drejt Serbisë, pasi nuk kishte masë aktive që do ta pengonte të largohej nga vendi. Më vonë u bë e ditur se ishte kthyer në Maqedoninë e Veriut.
Për rastin pati reaguar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vlerësoi se kishte „manipulim të rëndë nga një prokuror publik lokal i Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir“ dhe se prokurori ishte „bashkëpjesëmarrës në proces“.
Hetimi nuk ka bërë të ditur nëse lënda e Markovskit është ndër katër rastet ku dyshohet se prokurori ka ushtruar ndikim.



