Maqedonia po hyn në një periudhë të plakjes së përshpejtuar të popullsisë, ndërsa kjo e rrit drejtpërdrejt presionin mbi sistemin pensional, i cili tashmë po merr përmasa alarmante, deklaroi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në “Tema e ditës” në Ditarin e TV Sitel.
Bytyqi paralajmëroi se projeksionet demografike tashmë nuk lënë hapësirë që kjo çështje të shtyhet, pasi 18,6 për qind e popullsisë është mbi 65 vjeç dhe kjo përqindje vazhdon të rritet.
“Qeveria duhet të dijë se si do t’i përgjigjet kësaj, jo vetëm për një vit, por edhe për pesë vite. Shpejt do të vijë momenti kur kjo përqindje do të arrijë në 26 për qind të popullsisë”, tha Bytyqi.
Ai theksoi se projeksionet demografike të vitit 2024 duhet të jenë baza nga e cila duhet të nisë çdo debat serioz për të ardhmen e sistemit pensional.
“Këta janë prindërit tanë, gjyshet dhe gjyshërit tanë, njerëz që kanë dhënë kontribut për këtë shtet. Ne si politikanë duhet t’u përgjigjemi dhe t’u themi se do të kujdesemi për ta, por njëkohësisht duhet të kujdesemi edhe për gjeneratat e ardhshme”, theksoi Bytyqi.
Sipas tij, gjendja në PIOM nuk mund të shihet e izoluar nga sistemet e tjera, sepse presioni mbi fondin pensional transmetohet drejtpërdrejt edhe në sistemin shëndetësor.
“Fondi pensional është në gjendje serioze, alarmante, por këtu është edhe fondi shëndetësor. Nga fondi pensional drejt fondit shëndetësor duhet të transferohen mjete për të siguruar mbulim shëndetësor për njerëzit e moshës së tretë. Edhe aty kemi vonesa serioze”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se kjo gjendje tashmë ka pasoja edhe mbi cilësinë dhe ofrimin në kohë të shërbimeve shëndetësore.
“Prandaj Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk mund t’i përmbushë nevojat. Mospërmbushja e nevojave nënkupton shërbime shëndetësore jo në kohë, ndërsa më pas hapet edhe çështja e cilësisë së tyre”, tha Bytyqi, duke theksuar se plakja e popullsisë, qëndrueshmëria e sistemit pensional dhe gjendja në tregun e punës duhet të trajtohen së bashku, sepse pa aktivitet më të madh ekonomik dhe potencial më të lartë produktiv, presioni mbi sistemin në vitet e ardhshme do të bëhet edhe më i madh.



