“Deficiti që ishte projektuar me rishikimin e parë të Buxhetit ishte rreth 720 milionë euro. Pra, janë shpenzuar mbi 80 milionë euro më shumë sesa realisht ka në dispozicion”, theksoi Bytyqi.
Sipas tij, paralajmërimi për një rishikim të dytë të Buxhetit brenda të njëjtit vit është tregues i një problemi serioz në planifikimin buxhetor. Me këtë rast, Bytyqi rikujtoi se një rishikim i dytë bëhet në rrethana të jashtëzakonshme, siç ishte kriza e COVID-it, kur prioritet ishte mbrojtja e jetës dhe përballja me pasojat ekonomike të pandemisë.
“Në një vit kur krizat në rrethinën tonë kanë implikime relativisht të vogla financiare për vendin, ky rishikim vjen si përgjigje ndaj planifikimit të keq. Sërish bëhet fjalë për të hyra të mbidimensionuara dhe shpenzime të mbidimensionuara”, tha Bytyqi, duke shtuar se që me rishikimin e parë deficiti ishte rritur për rreth 26–27 për qind, ndërsa tani Qeveria sërish përballet me nevojën për ta korrigjuar strukturën buxhetore.
Bytyqi shtoi se opsionet janë të kufizuara: të zvogëlohen shpenzimet, që mund të nënkuptojë shkurtim të investimeve kapitale ose të shpenzimeve rrjedhëse, apo sërish të rritet deficiti.
“Nëse nuk shkurtohen investimet kapitale, atëherë mbeten shpenzimet rrjedhëse, si pensionet, transfertat sociale dhe pagat. Mundësia tjetër është të shkohet drejt një deficiti të ri, gjë që konsideroj se do t’i shkaktojë dëm serioz shtetit, sepse kjo do të thotë se në të ardhmen paratë do të jenë shumë më të shtrenjta se sot. Ose, më në fund, edhe ana e të hyrave edhe ajo e shpenzimeve të vendosen në korniza më reale për planifikim”, tha Bytyqi.



