Një nismë e re për koordinimin e organizatave shqiptaro-amerikane ka nisur nga Teksasi, ku përfaqësues të tri organizatave që veprojnë në Shtetet e Bashkuara u takuan për të diskutuar bashkërendimin e aktiviteteve dhe forcimin e lobimit për çështjet me interes shqiptar.
Në takim, sipas njoftimit, morën pjesë përfaqësuesit e Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut, Bruno Ceka dhe Vullnet Dervishi, përfaqësuesi i Albanian American Relations Council (AARC), Martin Vulaj, si dhe përfaqësuesit e Albanians for America (AFA), Dack Vraniqi dhe Gino Mulliqi.
“Në fokus të diskutimeve ishte mundësia që bashkëpunimi ndërmjet organizatave të marrë një formë më të strukturuar, duke krijuar koordinim të vazhdueshëm për aktivitetet dhe çështjet që kërkojnë angazhim të përbashkët në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim, ndërsa shtohet se synimi është që zëri dhe lobimi shqiptaro-amerikan pranë aleatit strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të jetë më i koordinuar dhe më efektiv, veçanërisht në Uashington, ku trajtohen çështje me rëndësi për shqiptarët në rajon.
Nismës pritet t’i bashkohet edhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e Joseph DioGuardit. Para takimit në Teksas, Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut zhvilloi një bisedë me Drejtorin Ekzekutiv të Ligës Agim Aliçkaj, i cili shprehu mbështetjen e plotë për iniciativën dhe gatishmërinë që organizata të marrë pjesë në takimin e ardhshëm.
“Koordinimi nuk do të kufizohet vetëm te organizatat e përfshira deri më tani. Nisma do të vazhdojë me kontakte dhe takime edhe me organizata të tjera shqiptaro-amerikane që veprojnë në SHBA, me synimin që rrethi i bashkëpunimit të zgjerohet dhe, aty ku ka qëndrime dhe interesa të përbashkëta, edhe veprimi të jetë i bashkërenduar”.
Takimi në Teksas, siç thuhet në njoftim, shënon kështu fillimin e një procesi më të gjerë komunikimi dhe koordinimi ndërmjet organizatave shqiptaro-amerikane, me synimin që çështjet me interes mbarëshqiptar të përfaqësohen në SHBA me një zë më të fuqishëm dhe më të organizuar.
“Të bashkuar në qëllim, më të fuqishëm në përfaqësim”.



