Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Martin Pamer, me fokus në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë te menaxhimi i qëndrueshëm i Parqeve Kombëtare dhe zonave të mbrojtura. Austria, me një përvojë të pasur dhe 17 parqe kombëtare, u vlerësua si një model frymëzues për zhvillimin e sektorit të mjedisit në vend.
Z. Mexhiti theksoi se përvoja austriake do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e Parkut Kombëtar të Sharrit dhe projekte të tjera strategjike për mbrojtjen e natyrës. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për përmbushjen e objektivave kombëtare dhe rajonale në mbrojtjen e mjedisit.