Procedura për ekstradimin e Iva Mihajllovës e cila u arratis nga Maqedonia edhe pse i ishin sekuestruar pasaportat është bllokuar në rregulla burokratike. Edhe pse është fakt publik që Mihajllova ndodhet në Bullgari, Maqedonia e Veriut nuk mund të nis procedurën, pasi Konventa Evropiane parashikon që Bullgaria duhet të njoftojë zyrtarisht Maqedoninë se Mihajllova ndodhet në vendin e tyre. Kështu, Ministria e Drejtësisë si resor përgjegjës për procedurën, pret njoftim zyrtar nga Ministria e Brendshme se personi i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar është lokalizuar.
“Deri në këtë moment, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme se personi Iva Mihaillova, është lokalizuar apo arrestuar në një shtet tjetër. Nëse Ministria e Drejtësisë merr njoftim të tillë, menjëherë do të veprojë dhe do të fillojë procedurën për ekstradim”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Megjithatë, Ministria e Brendshme nuk mund ta njoftojë Ministrinë e Drejtësisë pasi Bullgaria nuk ka dorëzuar njoftim zyrtar se Mihajllova ndodhet tek ata.
“Deri në këtë moment MPB e RMV-së nuk ka marrë informatë se personi për të cilin pyesni është gjetur pas fletëarrestit ndërkombëtar nga MPB. Kërkesa për ekstradim dorëzohet nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë. Pas miratimit të ekstradimit, organet kompetente të të dyja shteteve merren vesh për kushtet, kohën dhe mënyrën e dorëzimit, pasi çka MPB i realizon aktivitetet policore për marrjen e personit”, theksojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Arratisja e Mihaillovës ka shkaktuar reagim të ashpër politik e diplomatik, pasi Mihaillova u prit nga zyrtarë të lartë bullgarë. Ndërkohë ministri Pançe Toshkovski ka paralajmëruar se do të ketë hetim edhe për personat eventual të cilët i kanë ndihmuar Mihaillovës të largohet nga vendi. Iva Mihailova akuzohet për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacionin rrugor, lidhur me një aksident fatal të trafikut që ndodhi më 7 tetor 2025, në rrugën Koçan–Shtip. Sipas aktakuzës, Iva Mihailova po drejtonte automjetin mbi shpejtësinë e lejuar, kur kaloi në korsinë e kundërt dhe u është përplasur ballë për ballë me një automjet tjetër. Nga aksidenti humbi jetën Besim Durmishi nga Luboteni i Shkupit, ndërsa disa persona të tjerë u lënduan. /Alsat.mk



