Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti ka shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Në një reagim, Mexhiti theksoi se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e Kosovës, duke shprehur pritjen që procesi të përfundojë me një vendim të drejtë.
“Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin, viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e Mexhitit.
Sipas Mexhitit, liria e Kosovës është rezultat i sakrificës, guximit dhe përkushtimit të atyre që luftuan për çlirimin e vendit.
“Momenti i së vërtetës po afron. Për ne, liria e Kosovës nuk është thjesht një fjalë, është amanet”, shprehet bashkëkryetari u VLEN-it.




