Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim lidhur me mesazhet mashtruese për ‘Njoftimin për Gjobat në Trafik’, fushatë kjo që po qarkullon përmes SMS.
Këto mesazhe në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar siç shkruhet nga Autoritetet e Trafikut të Kosovës dhe përmbajnë linqe mashtruese, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët.
Policia ka bërë një thirrje ndaj qytetarëve që:
“të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë;
të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare;
të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve;
të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese; dhe
nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës. Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt”, thuhet në njoftim.



