Një ditë më parë, 12 refugjatët nga Bangladeshi dhe Egjipi, të cilët ishin strehuar në kampin e Gjadrit, u rikthyen në Itali për shkak të vendimit të marrë nga Gjykata e Romës më 18 tetor, pasi justifikon se migrantët nuk vijnë nga vende të sigurta.
Teksa ky vendim i Gjykatës së Romës ka sjellë përplasje midisi opozitës dhe mazhorancës në Itali, media greke “To Vima”, i ka kushtuar një artikull kësaj teme, teksa e lidh me situatën e migrantëve në shtetin e tyre.
Sipas gazetës, kampet e ngritura në vendin tonë me paratë italine, janë “futur në mikroskopin e qeverisë greke”, fill pas nisjes së aktivitetit të tyre, duke shqyrtuar “të mirat” dhe “të këqijat” e këtij eksperimenti.
Media “To Vima”, liston 5 kundërshtime të qeverisë greke për këtë marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë, të cilat janë:
-Kosto e lartë
Argumenti i parë i gazetës lidhet me koston jashtëzakonsiht të lartë, e cila ka kaluar vlerën e 670 milionë euro për dy qendrat: në Shëngjin dhe Gjadër. Duhet theksuar se opozita italiane e ka konsideruar të gjithë këtë marrëveshje një propagandë, pasi burimi financiar janë taksapaguesit italianë.
“Kini parasysh se qendrat në Shëngjin, 75 km në veri të Tiranës, thuhet të ketë kushtuar 670 milionë euro. Një shumë jashtëzakonisht e madhe, nëse nuk i shtohen pretendimet e ekonomisë në hije”, shkruan gazeta greke.
-Kapacitet prej 4000 emigrantë
Media fqinje hedh pretendimin se duke qenë se kanë më shumë se 4000 emigrantë prezentë në Greqi, qendrat italiane në vendin tonë nuk janë të mjaftueshme për zgjidhjen e problemit.
“Ne këtu kemi dhjetëfish më shumë emigrantë, që do të thotë se problemi nuk zgjidhet!”, shkruan “To Vima”.
-Nuk dihet se si do të funksionojë
“Askush ende nuk e di si do të funksionojë. Me “mëngjes të mirë”, u bënë 12 kthime në Itali, nga marrëveshja Romë-Tiranë”, shton media greke.
-Marrëveshje dypalëshe
Duke qenë se marrëveshja është bërë midis dy shtetave, njëra e së cilës është pjesë e BE-së dhe tjetra jo, konsiderohet se nuk do të zbatohet mekanizmat evropiane.
Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, është shprehur pro marrëveshjes, ndërsa shtete të tjera të BE-së e konsiderojnë si të papërshtatshme. Në datë 16 tetor, kur dhe mbërriti anija “Libra” me 16 refugjatët e parë, në portin e Shëngjinit u mbajt një protestë nga aktivistë të cilët kishin bandarolën “Ëndrra evropiane vdes këtu”.
“Marrëveshja është dypalëshe, pra ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, e cila kjo e fundit nuk është vend anëtar i Bashkimit Evropian. Për këtë arsye mekanizmat evropianë lihen jashtë”, shkruan gazeta e Greqisë.
-Mundësi për hapje kufiri?
Sipas gazetës “To Vima”, nëse ndodh që në një moment Shqipëria të ketë fluks emigrantësh apo nëse është e pamjaftueshme hapësira në qendrat e ngritura nga Italia, pretendohet se mund të ketë një hapje të kufirit, duke pasur frikën se do cënohet shteti grek.
“Çfarë ndodh nëse në një moment Shqipëria, qoftë për shkak të fluksit të madh të emigrantëve, qoftë se pse nuk ka mjaft qendra italiane, hap kufirin? Prandaj problemi është më i madh për ne”, shkruan gazeta greke.
Sipas shtetit fqinjë, kjo listë vlen si argument përse marrëveshja midis Shqipërisë dhe Italisë nuk është funksionale.
“To Vima” vijon duke shkruar:
“Për momentin, e vetmja zgjidhje për të cilën bie dakord vendi ynë dhe që u shërben interesave greke është që trafikantët të mos përcaktojnë se kush do të hyjë në Bashkimin Evropian.”
***
Sjellim ndërmend se Magjistratët e Romës nuk miratuan vendimin për mbajtjen në Shqipëri të 12 azilkërkueseve që vinin nga Egjipti dhe Bangladeshi. Shkak i vendimit të drejtësisë italiane, ishte vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, i dalë më 4 tetor.
Në atë vendim thuhet se një shtet për t’u konsideruar i sigurtë, duhet të jetë i tillë në çdo pjesë të tij për çdo person. “Nuk mund të kenë paragjykime apo diskriminime, ose tortura në asnjë zonë të territorit. Egjipti dhe Bangladeshi, siç është dhe Tunizia, nuk janë vende të sigurta”- thotë vendimi.
Mediat raportojnë se edhe pse kërkesa e tyre për azil tashmë është refuzuar, emigrantët do të kenë 14 ditë afat për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre.
Vendimi i Gjykatës së Romës shkaktoi trazira në politikën italiane. Partia në pushtet e cilësoi si një vendim politik, ndërsa opozita italiane i është drejtuar Komisionit Evropian për të kërkuar ndëshkim për shtetin e tyre.
Një sjellje e tillë e opozitës solli dhe kritika nga kryeministrja Giorgia Meloni, e cila u shpreh “Ata i kërkojnë Evropës të sanksionojë kombin e saj dhe qytetarët e saj, me të vetmin synim për të sulmuar politikisht këtë qeveri”.
Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, u zotua të premten se do të vazhdojnë me qendrat italiane të përpunimit të emigrantëve në Shqipëri, pavarësisht një vendimi të gjykatës së Romës që vendosi për kthimin në Itali të emigrantëve.
Sipas ministrit skema do të përmbushë parashikimin evropian dhe se do të bëhet një model për Bashkimin Evropian.
“Jo vetëm do të ecim përpara me ankimimet ligjore, por do të ecim përpara edhe me këto nisma sepse nga viti 2026 ajo që Italia po bën në Shqipëri dhe jo vetëm do të bëhet ligj europian”, tha ai.
Kujtojmë se 16 migrantë nga Bangladeshi dhe Egjipti mbërritën më 15 Tetor në portin e Shëngjinit, por pasi iu nënshtruan procedurave të kontrollin në qendrën në Shëngjin u mor vendimi që 4 prej tyre të ktheheshin në Itali, po atë ditë, për shkak se ishin të mitur. Ndërkohë 12 të tjerët u dërguan në kampin në Gjadër.